Për herë të parë, liturgjia e Ujit të Bekuar në maqedonisht dhe shqip – mesazh i fuqishëm bashkëjetese dhe barazie

Për herë të parë, liturgjia e Ujit të Bekuar u mbajt në dy gjuhë, maqedonisht dhe shqip, duke shënuar një moment me rëndësi të veçantë simbolike dhe shoqërore. Ky akt përcolli një mesazh të qartë bashkëjetese, respekti të ndërsjellë dhe barazie gjuhësore në hapësirat fetare dhe publike.

Në ceremoninë solemne ishte i pranishëm edhe ambasadori Denion Meidani, prania e të cilit u vlerësua si një përkrahje konkrete për dialogun ndërkulturor, përfshirjen dhe respektimin e identitetit dhe gjuhës shqipe në institucionet dhe jetën publike.

Një meritë e veçantë i takon Peshkopit Parthenij të Manastirit të Bigorskit, i cili me hapjen dhe vizionin e tij mundësoi mbajtjen e liturgjisë edhe në gjuhën shqipe. Ky veprim u cilësua si shembull domethënës se besimi mund të shërbejë si urë mirëkuptimi dhe afrimi mes komuniteteve, e jo si mjet përjashtimi.

Në frymën e kësaj feste të shenjtë, Uji i Bekuar u përjetua si simbol i pastrimit shpirtëror, paqes dhe bekimit hyjnor, duke rikujtuar thirrjen universale për dashuri, përulësi dhe mirësi ndaj njëri-tjetrit.

Me këtë rast, u përcollën urime për festën e Ujit të Bekuar, me shpresën që vlerat e respektit, unitetit dhe bashkëjetesës të rrënjosen edhe më thellë në shoqëri.