Pas reagimit të Kuvendit Studentor në Universiteti “Nënë Tereza” lidhur me kërkesën për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, kësaj iniciative i është bashkuar zyrtarisht edhe Parlamenti Studentor i Universiteti i Evropës Juglindore.
Gjatë një takimi të zhvilluar mes kryesive të të dy parlamenteve studentore, kryetari i Parlamentit Studentor në UEJL, Besjan Rexhepi, ka shprehur përkrahje të parezervë për këtë iniciativë, duke e cilësuar atë si legjitime dhe të bazuar në të drejta të garantuara me ligj. Ai ka konfirmuar se UEJL do t’i bashkohet plotësisht mobilizimit të studentëve për protestën e paralajmëruar, si dhe nismave të tjera të përbashkëta që synojnë realizimin e kësaj kërkese.
Sipas përfaqësuesve studentorë, ky bashkëpunim përbën një hap të rëndësishëm drejt unifikimit të zërit studentor në mbrojtje të së drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe, e garantuar me ligj të posaçëm për përdorimin e gjuhëve.
“Ne nuk kërkojmë shërbim, kërkojmë atë që na takon”, theksohet në reagimin e përbashkët të dy parlamenteve studentore.
Studentët kanë paralajmëruar se në ditët në vijim do të bëhen publike detajet e protestës dhe hapat e mëtejmë institucionalë për realizimin e kërkesës së tyre.
