SKANDAL NË BURGUN E SHUTKËS? Raportime për dhunë ndaj të burgosurve dhe përdhosje të Kuranit, kërkohet hetim urgjent

Shkup – Informacione shqetësuese po qarkullojnë lidhur me ngjarjet e fundit në Burgun e Shutkës. Sipas raportimeve, gjatë një aksioni të forcave speciale është ushtruar dhunë ndaj të burgosurve, ndërsa disa prej tyre thuhet se kanë përfunduar në spital për shkak të lëndimeve.

Po ashtu, janë publikuar pretendime se gjatë ndërhyrjes është përdhosur edhe libri i shenjtë, Kurani, çka, nëse konfirmohet, do të përbënte një cenim serioz të lirisë fetare dhe të dinjitetit të besimtarëve.

Deri më tani, institucionet kompetente nuk kanë dhënë një sqarim të plotë zyrtar për ngjarjen.

Nëse këto pretendime rezultojnë të vërteta, bëhet fjalë për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, përdorim të tepruar të forcës dhe cenim të lirive themelore.

Për këtë arsye, kërkohet reagim i menjëhershëm nga Avokati i Popullit, i cili duhet të nisë hetime të pavarura dhe të informojë opinionin publik me të gjitha faktet lidhur me atë që ka ndodhur në Burgun e Shutkës.

Publiku pret transparencë të plotë dhe përgjegjësi institucionale për këtë rast.