Amerikanët nuk e pranojnë humbjen, i bëjnë kërkesën e pazakontë Presidentit Trump: Ktheje skuadrën në Botëror

SHBA u eliminua nga gara pas humbjes së thellë 4-1 ndaj Belgjikës në fazën e 1/8-ve të finales, duke humbur mundësinë për të luajtur në çerekfinale.

Pas këtij rezultati, disa tifozë iu referuan ndërhyrjes së mëparshme të Trump për çështjen e sulmuesit amerikan Folarin Balogun, i cili fillimisht rrezikonte të mungonte në sfidën ndaj Belgjikës pas kartonit të kuq të marrë kundër Bosnjë-Hercegovinës. Pas kërkesave për rishikim, FIFA pezulloi dënimin dhe Balogun u aktivizua në ndeshje.

Në rrjetet sociale nisën menjëherë komentet ironike dhe kërkesat që Trump të përdorte sërish ndikimin e tij për të ndryshuar fatin e kombëtares amerikane.

Një tifoz shkroi: “SHBA mund ta fitojë ende Kupën e Botës nëse Donald Trump ka guximin.” Një tjetër komentoi: “A mendoni se Trump do të bëjë një tjetër telefonatë për të kërkuar anulimin e fitores së Belgjikës? Nuk do të çuditesha.”

Disa të tjerë kërkuan me humor që presidenti amerikan t’i telefononte kreut të FIFA-s, Gianni Infantino, duke shkruar: “Përmbyseni rezultatin, ju lutem Donald Trump” dhe “Trump është në telefon tani duke kërkuar që rezultati të ndryshohet.”

Në fushë, Belgjika nuk la shumë hapësira për surpriza. Charles De Ketelaere kaloi belgët në avantazh, ndërsa pas barazimit të përkohshëm të SHBA-së me Malik Tillman, ai shënoi sërish vetëm pak minuta më vonë. Hans Vanaken dhe Romelu Lukaku vulosën rezultatin final 4-1.

Skuadra e drejtuar nga Mauricio Pochettino kishte arritur të kalonte disa sfida në këtë Botëror, duke mposhtur Paraguain, Australinë, Turqinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, por u ndal përballë Belgjikës.

Nëse do të kishte kaluar më tej, SHBA do të përballej me Spanjën në çerekfinale, pasi iberikët eliminuan Portugalinë e Cristiano Ronaldos me rezultatin 1-0.