“Luajnë bixhoz” me të ardhmen e Putinit dhe vënë bast 400,000 dollarë se ai do të “rrëzohet” deri në fund të vitit, parashikimi i Forbes

Një nga periudhat më të vështira, ndoshta më e vështira, në totalin e 22 viteve (14 radhazi) që ka qenë në krye të Rusisë, po përjeton Vladimir Putin.

Një nga periudhat më të vështira, ndoshta më e vështira, në totalin e 22 viteve (14 radhazi) që ka qenë në krye të Rusisë, po përjeton Vladimir Putin. Presioni mbi Kremlinin është shtuar ndjeshëm muajt e fundit, ndërsa Ukraina, pas mësimeve të marra që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt 2022 deri në fund të vitit 2025, ka kaluar në kundërsulm.

Sulmet ukrainase tashmë kanë prekur Moskën dhe zonat përreth saj, pranë Kremlinit, Shën Petersburgun dhe Krimenë. Infrastruktura kritike e energjisë është kthyer në objektiv të vazhdueshëm, prodhimi i rezervave të energjisë po ndalet dhe qytetarët po krijojnë radhë në pikat e karburantit për t’u furnizuar.

Në të njëjtën kohë, Vladimir Putin ka pranuar publikisht vështirësitë që po kalon vendi, ka folur për presionin në sektorin energjetik dhe ka dërguar sinjale drejt Uashingtonit, i cili është i përqendruar te zhvillimet në Iran, duke kërkuar rikthimin në tryezën e negociatave.

Ndërkohë, sipas raportimeve, po shtohen zërat që vënë në pikëpyetje stabilitetin politik të presidentit 74-vjeçar rus, aq sa e ardhmja e tij ka nisur të bëhet objekt edhe i tregjeve të basteve.

Basti prej 400 mijë dollarësh për largimin e Putinit

Në këtë klimë, një përdorues anonim në platformën e basteve me kriptomonedha Polymarket ka vendosur rreth 409 mijë dollarë duke parashikuar se Vladimir Putin nuk do të jetë më president i Rusisë deri më 31 dhjetor 2026.

Sipas NBC News, basti është vendosur nga një llogari me emrin “ZnotluvuiSamez”, e cila ka si fotografi profili flamurin ukrainas. Përdoruesi ka vendosur disa baste që lidhen me luftën në Ukrainë, por ky është më i madhi deri tani. Basti i fundit prej 50 mijë dollarësh është vendosur të enjten në mëngjes.

Megjithatë, tregu nuk ndan të njëjtin optimizëm. Sipas vlerësimeve të lojtarëve në Polymarket, ka vetëm 12% gjasa që Putini të largohet nga presidenca para vitit 2030.

Nëse parashikimi rezulton i saktë, lojtari anonim mund të fitojë deri në 2.5 milionë dollarë.

Basti i dytë më i madh i të njëjtit përdorues është 61 mijë dollarë mbi parashikimin se Ukraina do ta rimarrë Krimenë deri në fund të vitit, një skenar që tregu gjithashtu e vlerëson me vetëm 12% probabilitet.

Llogaria është hapur në prill të këtij viti dhe është e lidhur me një profil në X, i cili nuk ka asnjë postim.

Forbes: Putini po përballet me probleme ekzistenciale

Sipas analizës së publikuar nga Forbes, presidenti rus po përballet me probleme ekzistenciale në disa fronte.

Situata në luftë po bëhet gjithnjë e më e rëndë për Kremlinin, duke dëmtuar legjitimitetin e Putinit, ndërsa pakënaqësia e brendshme po rritet. Një video virale e blogerit ushtarak rus Alexander Lunin, i cili paralajmëroi për një kryengritje, është përmendur si një nga shenjat e kësaj pakënaqësie.

Forbes vëren se zemërimi publik po shtohet për shkak të mobilizimit të detyruar dhe mungesave, ndërsa analogjitë historike me rëniet e mëparshme të regjimeve ruse pas luftërave të dështuara po rikthehen në vëmendje.

Sipas analizës, elitat politike dhe të sigurisë, të shqetësuara për mbijetesën e tyre, mund të kthehen kundër Putinit, duke krijuar edhe mundësinë e konflikteve të brendshme.

Revista amerikane përmend disa skenarë të mundshëm për fundin politik të Putinit, që variojnë nga një atentat deri te një gjyq spektakël, ndërsa si faktorë që mund të përshpejtojnë zhvillimet përmenden sulmet e reja ukrainase, trazirat e brendshme dhe ndryshimi i qëndrimit të Kinës.

Krimea dhe Ura e Kerçit nën presion

Forbes thekson gjithashtu se Krimea po përballet me vështirësi serioze në furnizimin me karburant për shkak të sulmeve të vazhdueshme me dronë ukrainas.

Pamjet e radhëve të gjata të automjeteve që largohen nga gadishulli në kulmin e sezonit turistik krijojnë një imazh negativ për Moskën.

Aktualisht, një nga korridoret më të rëndësishme të furnizimit mbetet Ura e Kerçit, e cila është sulmuar disa herë, por vazhdon të jetë funksionale. Kamionët që transportojnë karburant përmes saj konsiderohen objektiva të ndjeshëm, ndërsa burime të inteligjencës ukrainase pretendojnë se ura mbetet në fokus të planeve ushtarake të Kievit.

Sipas analizës, lufta që Rusia nisi katër vite e gjysmë më parë mund të shndërrohet në një katastrofë strategjike për Kremlinin, ndërsa Putini po e ka gjithnjë e më të vështirë të kontrollojë perceptimin publik.

Videot e Alexander Lunin dhe krahasimet me Prigozhinin

Pak ditë më parë, blogeri ushtarak rus Alexander Lunin, veteran i luftës në Ukrainë, publikoi një video ku paralajmëronte për një kryengritje dhe kërkonte një takim televiziv me Putinin.

Ai pretendoi se zotëronte sekrete të rëndësishme të zyrtarëve të lartë dhe se dëshironte t’ia paraqiste presidentit rus. Videoja mblodhi afro 11 milionë shikime.

Më pas publikoi një video tjetër me ton më të moderuar, por më vonë u shfaqën pamje të një grupi ushtarësh që e mbështesnin dhe kërcënonin se do t’i drejtonin armët kundër oficerëve, të cilët i akuzonin për keqtrajtim.

Lunin u arrestua dhe ndodhet në burg, ndërsa rasti i tij ka rikthyer kujtimet e kryengritjes së udhëhequr nga Yevgeny Prigozhin.

Në të njëjtën kohë vazhdojnë të qarkullojnë video të sulmeve ukrainase ndaj bazave ushtarake, objekteve energjetike dhe depozitave të karburantit pranë Moskës, si edhe pamje të qytetarëve rusë që protestojnë për mungesën e karburantit dhe pretendime për mobilizime të detyruara.

Forbes kujton se në historinë moderne ruse, ndryshimet e regjimit kanë ardhur pas luftërave të mëdha, si Lufta e Parë Botërore dhe lufta në Afganistan.

“Skenari i Çausheskut”

Analiza përmend edhe të ashtuquajturin “skenar i Çausheskut”, sipas të cilit Putini mund të përballet me një gjyq spektakël dhe më pas të eliminohet politikisht ose fizikisht, ndërsa pjesa më e madhe e elitës do të mbetej në pushtet.

Ky skenar është rikthyer në diskutim edhe pas vdekjes misterioze të Sergei Ivanov më 26 qershor, në moshën 73-vjeçare. Ivanov konsiderohej një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Putinit që prej viteve 1970 dhe ishte parë shpesh si një pasardhës i mundshëm.

Kremlini njoftoi vdekjen e tij pa bërë publik shkakun, ndërsa Ivanov kishte ruajtur lidhje të forta me FSB-në edhe pasi ishte larguar nga postet zyrtare.

Sipas Forbes, ngjarje të tilla shtojnë pasigurinë mes elitave, pasi rivalët e mundshëm mund ta shohin veten në rrezik dhe të ndërmarrin veprime parandaluese.

Analiza përmend si faktorë që mund të përshpejtojnë zhvillimet sulme të reja ukrainase ndaj Moskës, mungesa ushqimore, kryengritje separatiste në rajone si Tatarstani, Bashkortostani ose Çeçenia, si dhe një operacion të madh ukrainas në Krime.

Faktori Kinë

Një element kyç në analizën e Forbes është edhe qëndrimi i Kinës.

Sipas revistës, nëse Pekini arrin në përfundimin se një Putin i dobësuar nuk i shërben më interesave të tij strategjike, mund të reduktojë më tej mbështetjen ekonomike dhe politike për Moskën.

Kina tashmë ka ulur ndjeshëm mbështetjen për ekonominë ruse dhe ka refuzuar financimin e projektit të gazsjellësit “Siberia 2”, që do ta lidhte drejtpërdrejt me Rusinë.

Në përfundim, Forbes argumenton se, nëse situata aktuale vazhdon ose përkeqësohet, Vladimir Putin mund të përballet me rrëzimin e tij politik brenda tre viteve të ardhshme.