Dy vjet pushtet, Qeveria e RMV-së ka realizuar vetëm 18 përqind të premtimeve, VLEN ende më pak

Derisa Qeveria e Maqedonisë së Veriut krekoset për arritjet e saj pas dy viteve qeverisje, raportet e monitorimit dhe situata në terren tregojnë progres të kufizuar në realizimin e zotimeve të dhëna para qytetarëve, shkruan Portalb.mk. Deri më tani, vetëm 18% e zotimeve qeveritare janë realizuar plotësisht, rreth 30% janë në proces realizimi, ndërsa rreth 40% nuk kanë shënuar asnjë progres të dukshëm.

Ekzekutivi  i RMV-së ka mbushur 24 muaj nga fillimi i punës dhe tashmë ka hyrë në gjysmën e dytë të mandatit. Me këtë rast, pritjet  ishin se një pjesë e madhe reformave të premtuara të jenë realizuar ose të kenë hyrë në fazë të avancuar të zbatimit. Megjithatë, pavarësisht kohës së kaluar, koalicioni i përbërë nga VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM ende nuk ka arritur të përmbushë as gjysmën e premtimeve të dhëna gjatë zgjedhjeve parlamentare. Këto zotime përfshinin fusha të ndryshme si politikat sociale, zhvillimi ekonomik, arsimi, bujqësia, kultura, përshpejtimi i integrimit evropian, si dhe rritja e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore, veçanërisht nga programi i VLEN-it.

Sipas raportit “Kompasi i Premtimeve të Qeverisë”, i përgatitur nga Finance Think në bashkëpunim me Forumin Rinor Arsimor dhe Lidhjen e Mjekëve të Maqedonisë, vetëm 18% e zotimeve qeveritare janë realizuar plotësisht, rreth 30% janë në proces realizimi, ndërsa rreth 40% nuk kanë shënuar asnjë progres të dukshëm. Raporti thekson gjithashtu se një pjesë e premtimeve jo vetëm që kanë ngecur, por në disa raste kanë shënuar edhe devijim nga objektivat fillestare, duke ngritur pikëpyetje mbi ritmin dhe efektivitetin e zbatimit të programit qeverisës.

Sipas analistëve të përfshirë në monitorim, progresi është i pabarabartë sipas sektorëve. Arsimi ka lëvizje më dinamike, ndërsa politikat sociale, shëndetësia dhe çështjet e barazisë e përfaqësimit etnik mbeten ndër më të vonuarat. Veçanërisht, premtimet që lidhen me gratë nuk kanë shënuar asnjë realizim. Në fushën socio-ekonomike, vetëm 11% e premtimeve janë përmbushur, 24% janë në proces, 47% nuk kanë filluar fare dhe 16% kanë devijuar nga synimet fillestare. Kjo nënkupton se më shumë se katër në pesë premtime qeveritare ende nuk janë jetësuar plotësisht pas dy viteve mandat.

Sa u përket premtimeve nga programi me të ciliVLEN-it me të cilin garoi në zgjedhje, rezultatet janë edhe më të ulëta. Ky koalicion kishte paraparë rritjen e përfaqësimit të shqiptarëve në institucione, themelimin e Akademisë shqiptare, krijimin e zonave të lira ekonomike ndërkufitare, Erasmusin shqiptar, gjashtë spitale rajonale dhe reforma shëndetësore. Gjithashtu, VLEN pati premtuar se MPB-ja ose njëra nga dy drejtoritë kryesore të saj do të udhëhiqej nga një shqiptar, si dhe përfundimin e autostradës Shkup-Bllacë, subvencionimin e bizneseve të mërgimtarëve dhe lehtësira për blerjen e banesave për çiftet e reja deri në 35 vjeç. Deri më tani, asnjë nga këto premtime as nuk ka filluar të zbatohet.