Shqiptarët e Medvegjës më në fund nderojn Skënderbeun

Më në fund edhe Medvegja nderon Skënderbeun – emërtimet shqiptare ende mbeten përjashtim

Një zhvillim me rëndësi simbolike për shqiptarët e Medvegjës vjen nga lagjja shqiptare e Rekalive në Banjën e Sijarinës, ku një rrugë tashmë mban emrin e Heroit Kombëtar shqiptar, Skënderbeu.

Ky është një nga rastet e rralla në komunën e Medvegjës ku një rrugë mban emrin e një personaliteti të historisë shqiptare dhe ku emërtimi paraqitet edhe në gjuhën shqipe.

Megjithatë, dygjuhësia në Medvegjë vazhdon të mos respektohet as për së afërmi në masën e paraparë me ligj, ndërsa emërtimet e rrugëve në alfabetin shqip dhe ato që mbajnë emrat e figurave të shquara shqiptare mbeten tepër të pakta. Për këtë arsye, emërtimi i rrugës “Skënderbeu”në lagjen shqiptare të Rekalive përfaqëson një hap simbolik në afirmimin e identitetit kombëtar dhe të drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në hapësirat publike.

Edhe pse bëhet fjalë vetëm për një rrugë, ky veprim ka një peshë të veçantë për komunitetin shqiptar në Medvegjë, pasi dëshmon se emrat dhe trashëgimia historike shqiptare meritojnë të jenë të pranishme edhe në hapësirat publike të kësaj komune, sepse shqiptarët janë autoltonë në këto troje, në përputhje me të drejtat e garantuara për përdorimin zyrtar të gjuhës dhe simboleve të komuniteteve./medvegja.net/