Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar reperit Mossi dhe dy personave të tjerë nga një muaj paraburgim për sulmin e dyshuar ndaj gazetarit Burim Pacolli.
Kjo u bë e ditur vetëm së fundmi nga një njoftim zyrtar i organeve përkatëse për rastin.
Sipas njoftimit, gjyqtari i procedurës ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve për rastin që ka bërë bujë në media.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit G.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Lëndim i lehtë trupor në bashkëkryerje dhe veprën penale Kanosje, ndaj të pandehurit B.M. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Lëndim i lehtë trupor në bashkëkryerje dhe veprën penale Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge dhe ndaj të pandehurit A.D. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Lëndim i lehtë trupor”, thuhet në komunikatën e tyre.
“Gjyqtari i procedurës paraprake pas dëgjimit të palëve në procedurë dhe pas analizimit të shkresave të lëndës gjeti se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit është e bazuar, andaj aprovoj kërkesën e PTHP-së, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve G.K., B.H. dhe A.D., ashtu që të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin”, thuhej tutje në njoftim duke konfirmuar masën e shqiptuar të paraburgimit ndaj reperit Mossi dhe dy të dyshuarve të tjerë.
Rasti në fjalë ka bërë një bujë të madhe mediatike, duke ngritur po ashtu reagime të shumta nga figura të njohura publike.
