Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, njoftoi sot se do të japë dorëheqje dhe shtoi se nënkryetarja aktuale, Ilijana Jotova, do ta marrë funksionin e kreut të shtetit.
“ Nesër do të paraqes dorëheqjen nga posti i Presidentit të Republikës së Bullgarisë”, deklaroi Radev në një konferencë të jashtëzakonshme për media, sipas “Lajmeve Bullgare”.
Radev theksoi se demokracia bullgare nuk do të mbijetojë nëse lihet, siç u shpreh ai, në duart e “strukturave të korruptuara dhe ekstremistëve”, duke nënvizuar se besimi i qytetarëve e obligon atë t’i mbrojë institucionet.
Ai kujtoi se për herë të parë ishte zgjedhur president para nëntë vitesh dhe se besimi ishte rinovuar në vitin 2021, duke vlerësuar se është përpjekur ta justifikojë këtë nder dhe përgjegjësi në të gjitha veprimet e tij.
“Para nëntë vitesh, ju votuat që unë t’i shërbej Bullgarisë si president. Së bashku kaluam një sërë krizash, sulme nga oligarkia dhe protesta të mëdha në vitet 2020 dhe 2025. Sot po ju drejtohem për herë të fundit si president i Bullgarisë. I pranoj gabimet e mia”, tha Radev, siç raporton “Euronews” bullgar.
