Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se Danimarka nuk është në gjendje ta mbrojë Groenlandën, duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin e sovranitetit danez mbi ishullin strategjik, mes një debati gjithnjë e më të ashpër për sigurinë në Arktik.
Sky News shkruan se Trump i është drejtuar me një letër presidentit të Norvegjisë, ku shpreh hapur qëndrimin e tij për Groenlandën dhe rolin e SHBA-së në rajon.
“Danimarka nuk mund ta mbrojë atë tokë nga Rusia apo Kina dhe pse ata kanë një ‘të drejtë pronësie’ gjithsesi?”, shkruan Trump në letër.
Presidenti amerikan vë në dyshim bazën historike të pretendimeve daneze mbi Groenlandën, duke theksuar se nuk ekzistojnë dokumente zyrtare pronësie.
“Nuk ka dokumente të shkruara. Është thjesht fakti që një anije zbarkoi atje qindra vjet më parë. Por edhe ne kemi pasur anije që kanë zbarkuar atje,” thuhet më tej në letër.
Trump lidh çështjen e Groenlandës edhe me marrëdhëniet e SHBA-së me NATO-n, duke pretenduar se ai ka bërë më shumë për aleancën se çdo udhëheqës tjetër që nga themelimi i saj.
“Unë kam bërë më shumë për NATO-n se çdo person tjetër që nga themelimi i saj dhe tani NATO duhet të bëjë diçka për Shtetet e Bashkuara,” shkruan ai.
Në deklaratat e tij, Trump shkon edhe më tej, duke e cilësuar kontrollin amerikan mbi Groenlandën si jetik për sigurinë globale.
“Bota nuk është e sigurt nëse nuk kemi kontroll të plotë dhe total të Groenlandës,” thekson presidenti amerikan.
Deklaratat e Trumpit pritet të përshkallëzojnë tensionet diplomatike me Danimarkën dhe aleatët evropianë, ndërsa Groenlanda mbetet një pikë strategjike kyçe për shkak të pozicionit të saj gjeopolitik, burimeve natyrore dhe rolit në sigurinë e Arktikut.
