Bllokohet klinika ‘International Medicare’ në Tiranë – evazion 1 milion euro, ilaçe të skaduara dhe ndërhyrje që ‘masakronin’ pacientët

Pas hetimeve disamujore të Krimit Ekonomik në bashkëpunim me Policinë e Tiranës, bëhet me dije se klinika përveçse nuk kishte deklaruar fitimet gjatë kësaj kohe, shërbimet spitalore (kirugji plastike) kryheshin me produkte të ndaluara, për përdorim dhe të skaduara.

Në klinikë gjithashtu 5 punonjës ishin të pasiguruar.

Gjatë këtij operacioni në pranga ra administratori i spitalit privat Edmond Zaja 62-vjeç, ndërsa në kërkim  45-vjeçari turk Bilal Kara dhe 32-vjeçarja Geriana Arapi. Aksionerët rezultojnë të jenë jashtë territorit shqiptar.

Gjatë kontrolleve të kryera, blutë sekuestruan 100 blloqe me mandate të pafiskalizuara, 27 lloje medikamentesh të dyshuara të skaduara (prej shkurtit të 2023-it) dhe 6 njësi kompjuterike. Një nga medikamentet e ndaluara që përdorej në këtë klinikë ishte edhe ‘Thiopental VUAB’. Është një anestetik me veprim shumë të shpejtë që përdoret si anestetik intravenoz. Jepet për induksionin e anestezisë para ndërhyrjeve kirurgjikale, por përdoret edhe në situata urgjente për shkaktim të humbjes së shpejtë të vetëdijes.