Koordinatori kombëtar për media i Mickovskit ofendon Tiranën zyrtare

Është e turpshme dhe njëherazi alarmuese që një nga koordinatorët kombëtarë për komunikim dhe media në kabinetin e Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, i paguar me paratë e qytetarëve, e ka kthyer misionin e tij kryesor në sulm të pandërprerë ndaj Tiranës zyrtare dhe institucioneve shqiptare, ka reaguar sot BDI.

Një funksionar që paguhet me rrogë nga Zyra e Kryeministrit, në vend që të ndërtojë ura bashkëpunimi, përdor gjuhën e fyerjes, të përçarjes dhe të sulmit të hapur ndaj shtetit shqiptar dhe partnerëve tanë strategjikë. Kjo nuk është më thjesht një dalje e pakontrolluar e një individi të vogël, por është një provë e qartë politike që ngre pyetje serioze për vetë Qeverinë:
A është ky qëndrimi zyrtar i Mickoskit ndaj Tiranës? Janë këto fyerje dhe shpifje produkt i linjës shtetërore të kabinetit të tij?

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk do të pranojnë kurrë që njerëz të punësuar në institucione shtetërore të shndërrohen në megafonë të VMRO-së për të hedhur baltë mbi Shqipërinë dhe mbi institucionet shqiptare.

BDI ka qenë dhe mbetet ura e bashkëpunimit me Tiranën, Prishtinën dhe partnerët ndërkombëtarë. Për këtë arsye, kërkojmë qartësi dhe përgjegjësi: A flet ky koordinator në emër të Qeverisë? Nëse jo, pse Mickoski e mban në zyrën e tij dhe e lejon të flasë në emër të shtetit?

Shqiptarët meritojnë përgjigje të drejtpërdrejta, jo heshtje të qëllimshme.