Deputetët e BDI-së nënshkruajnë propozim-rezolutën: Provimi i Jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe

Deputetët e Grupit Parlamentar të BDI-së kanë nënshkruar dhe mbështetur propozim-rezolutën për zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në provimin e jurisprudencës, bëri të ditur studenti dhe njëri nga inicuesit e peticionit për mbajtjen e këtij provimi në gjuhën shqipe, Mevlan Ademi.

Ademi njoftoi se kjo nismë synon zbatimin e plotë të ligjit dhe garantimin e të drejtës që provimi i jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe. Ai u bëri thirrje edhe deputetëve të tjerë që t’i bashkohen kësaj rezolute.

“Ftojmë edhe deputetët e tjerë që nuk iu përgjigjën ftesës sonë t’i bashkohen kësaj nisme. Zbatimi i ligjit dhe respektimi i gjuhës shqipe nuk është çështje politike, por detyrim ndaj Kushtetutës dhe qytetarëve. Gjuha shqipe është e drejtë e garantuar dhe duhet të zbatohet”, ka shkruar Ademi në profilin e tij në Facebook.

Ndërkohë, mbështetje për këtë propozim-rezolutë kanë shprehur edhe deputetët Rijad Shaqiri dhe Halil Snopçe, të cilët theksuan se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve duhet të zbatohet në praktikë dhe se çdo formë diskriminimi ndaj gjuhës shqipe është e papranueshme.

Sipas tyre, zbatimi i plotë i ligjit është i domosdoshëm për të siguruar barazi reale të gjuhës shqipe në institucionet e vendit.

Ndryshe, ditë më parë, propozim-rezoluta është mbështetur edhe nga deputetët e Aleancës për Shqiptarët – krahu i Ziadin Selës.