Në orët e para të mëngjesit të së martës, tre persona kanë mbetur të plagosur në një lokal në Deçan, ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
Të plagosur kanë mbetur dy persona të nacionalitetit serb dhe një shqiptar. Ngjarja ka ndodhur brenda një lokali, ndërsa në vendin e incidentit kanë intervenuar njësitet policore dhe ekipet mjekësore, të cilat u kanë dhënë ndihmën e parë të plagosurve dhe i kanë dërguar për trajtim në spital.
“Më datë 13, rreth orës 00:18, policia është njoftuar se në një lokal ka të shtëna me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes u gjetën tre persona të shtrirë, të lënduar nga arma e zjarrit. Të plagosurit janë dërguar fillimisht në Qendrën e Mjekësisë Familjare dhe më pas në Emergjencën e Spitalit të Pejës,” tha Gashi.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se lidhur me rastin është arrestuar një person i dyshuar, i nacionalitetit shqiptar, i cili dyshohet se ka shtënë me armë zjarri. Gjatë operacionit policor është sekuestruar edhe arma e dyshuar e përdorur në ngjarje.
“Një person i dyshuar është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë kompetente për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, ndërsa janë sekuestruar 1 armë dhe 1 karikator me 9 fishekë,” tha Gashi.
Me vendim të prokurorit kompetent, i dyshuari është ndaluar, ndërsa ndaj tij pritet të ndërmerren veprime të mëtejshme hetimore. Rasti është iniciuar si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “lëndim i rëndë trupor”.
Hetimet vazhdojnë për të sqaruar rrethanat e plota të incidentit.
