Kosova nis pranimin e migrantëve të dëbuar nga SHBA-të, Kurti: Ata që nuk i do Amerika në territorin e tyre…

Kosova ka filluar zyrtarisht të pranojë migrantë të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara, të cilët nuk janë shtetas kosovarë.

Lajmin e konfirmoi të enjten vonë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili tha se vendi ka miratuar kërkesën e administratës së Presidentit Donald Trump për të pranuar fillimisht 50 persona.

Ne po pranojmë ata që SHBA-të nuk i donin në territorin e tyre,” u shpreh Kurti duke shtuar se deri tani kanë mbërritur vetëm një ose dy persona. Ai nuk dha detaje mbi vendet e origjinës së tyre.

SHBA-të po kërkojnë partnerë ndërkombëtarë për të sistemuar shtetas të palëve të treta, teksa administrata Trump synon të përmbushë premtimin për deportime masive.

Kosova, me rreth 1.6 milion banorë, ka një histori bashkëpunimi të ngushtë me Uashingtonin. Vendi tashmë ka nënshkruar një marrëveshje me Danimarkën për të pranuar 300 të burgosur të huaj nga viti 2027, në këmbim të 210 milionë eurove përgjatë 10 viteve. Po ashtu, ka shprehur interes për të pranuar të dëbuar edhe nga Britania.

Marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-ve mbeten të veçanta, duke pasur parasysh rolin kyç të Uashingtonit në procesin e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.