Një aeroplan i vogël u rrëzua në liqenin e Mavrovës, një person i lënduar

Një aeroplan i vogël u rrëzua sot në Liqenin e Mavrovës, njoftoi Qendra e Menaxhimit të Krizave (QMK), transmeton Portalb.mk.

Në bord ndodheshin dy persona, njëri prej të cilëve u plagos.

Sipas të gjitha gjasave, bëhet fjalë për Dukagjin Manxhuka, i cili një ditë më parë në profilin e tij në Facebook kishte postuar fotografi duke pilotuar.

“Me co-pilotin një dite te bukur, mbi Tetovë!”, shkruan ai mbi fotografitë e postuara.

Incidenti u raportua në numrin e vetëm të emergjencës 112. Informacioni u përcoll menjëherë nga QMK te shërbimet kompetente të reagimit ndaj emergjencave.

Në vendngjarje u dërguan Policia Rajonale e Tetovës, Shërbimet Mjekësore të Urgjencës dhe Qendra Rajonale e Menaxhimit të Krizave e Tetovës.