Vetëm 9 studentë shqiptarë në Shkollën e Policisë në Shkup, opozita shqiptare akuzon qeverinë për diskriminim
Vetëm 9 shqiptarë rezultojnë të jenë pranuar nga 310 nxënësit e përzgjedhur për të ndjekur Shkollën e Mesme të Policisë “7 Maji” në Shkup, çka ka shkaktuar reagime nga partitë shqiptare në opozitë, të cilat e kanë cilësuar shqetësuese situatën lidhur me përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet e sigurisë në Maqedoninë e Veriut
Ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, e lidhi situatën me përfaqësimin politik të shqiptarëve në pushtet dhe fajësoi partinë VLEN.
“Me VLEN-in zbritëm nga 29% në 2.9% shqiptarë!”, tha ai
Reagim ka ardhur edhe nga Aleanca për Shqiptarët. Partia thekson se shifra e nxënësve shqiptarë përbën më pak se 3 për qind të totalit.
“Kjo do të thotë se përbërja e sotme e kësaj shkolle do të reflektohet drejtpërdrejt në përbërjen e policisë në vitet e ardhshme”, thuhet në reagimin e partisë.
Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim ka kërkuar anulimin e konkursit dhe përsëritjen e tij mbi kritere që, sipas partisë, garantojnë përfaqësim real dhe adekuat të të gjitha komuniteteve.
“Ky konkurs nuk është rast i izoluar. Ai është vetëm një tjetër dëshmi e një politike që po i përjashton shqiptarët nga institucionet e shtetit, veçanërisht nga organet e rendit dhe sigurisë”, ka deklaruar BDI.
Sipas BDI-së, përfaqësimi i një komuniteti me një përqindje kaq të ulët në polici nuk mund të konsiderohet thjesht si rezultat i një konkursi, por ngre pikëpyetje për mekanizmat dhe vullnetin për të garantuar përfaqësim të drejtë.
Liridon Disha nga BDI pati kritika edhe kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, duke e akuzuar se flet për përfaqësimin e Tetovës në rang kombëtar, ndërsa sipas tij, situata në Shkollën e Policisë tregon të kundërtën.