Besijan Rexhepi nga UEJL me ultimatum ministrit Shasivari: Barazia gjuhësore duhet të zbatohet, jo të premtohet

IMG_6652

Kryetari i Parlamentit Studentor të Universitetit të Evropës Juglindore, Besijan Rexhepi, ka reaguar pas njoftimit të ministrit të Drejtësisë, z. Shazivari, se studentët do të ftohen në takim për të diskutuar kërkesën për zhvillimin e Provimit të Jurisprudencës dhe provimeve të tjera profesionale edhe në gjuhën shqipe.

Rexhepi thotë se studentët presin të shohin se kur dhe në çfarë forme do të realizohet takimi i paralajmëruar, ndërsa thekson se qëndrimi i tyre mbetet i pandryshuar.

Sipas tij, kërkesa për zhvillimin e provimeve profesionale në gjuhën shqipe nuk bazohet në dëshira apo interpretime politike, por në Kushtetutën dhe ligjet në fuqi që garantojnë të drejtat gjuhësore dhe barazinë e qytetarëve.

“Prandaj, nuk ka arsye që kjo çështje të zvarritet më tej. Zgjidhja është konkrete, e mundshme dhe kërkon vetëm vullnet institucional për t’u zbatuar”, shprehet Rexhepi.

Parlamenti Studentor e mirëpret takimin e paralajmëruar, por kërkon që ai të mos mbetet vetëm një takim formal, por të shërbejë si hap drejt një zgjidhjeje konkrete.

“Kërkesa jonë është e thjeshtë: barazi, zbatim i ligjit dhe respektim i të drejtave të studentëve”, thekson kryetari i Parlamentit Studentor të UEJL-së.