Studentët “godasin” ministrin: “Ku shkruan në ligj se praktika duhet në maqedonisht?”
Kryetari i studentëve të Universitetit “Nënë Tereza”, Besar Sejdiu, ka reaguar ndaj përgjigjes së Ministrisë së Drejtësisë lidhur me kërkesën e studentëve për zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Sipas Sejdiut, zgjidhja e propozuar nga Ministria, që teoria të zhvillohet në shqip, ndërsa pjesa praktike në maqedonisht, është e papranueshme për studentët.
Ai i referohet Nenit 9 të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, duke theksuar se në procedurat gjyqësore dhe procedurat e tjera para gjykatave, prokurorive dhe institucioneve përdoret edhe gjuha që flitet nga të paktën 20% e qytetarëve.
“Ku në ligj shkruan se teoria mund të jepet në shqip, ndërsa praktika duhet patjetër të jepet në maqedonisht?”, pyet Sejdiu.
Studentët kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mund të zhvillohet tërësisht në gjuhën shqipe, si në pjesën teorike ashtu edhe në atë praktike.
“Na bindni me ligj. Na tregoni nenin që e ndalon”, ka deklaruar Sejdiu, duke paralajmëruar se studentët do të vazhdojnë ta kundërshtojnë këtë zgjidhje.
Qëndrimi i studentëve mbetet i qartë: provimi i jurisprudencës në gjuhën shqipe – teori dhe praktikë. Asnjë hap prapa.