Drejtori i CIA-s zbarkon papritur në Moskë/ Mediat e huaja: John Ratcliffe mund të jetë takuar me Putinin, në fokus Ukraina dhe NATO
Spekulime të shumta rreth qëllimit të vizitës së drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe, në Moskë.
Mediat ruse dhe ukrainase raportojnë se ai mund të jetë takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, ndërsa deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga Shtëpia e Bardhë apo CIA.
Vizita u vu re nga llogari ruse në aplikacionin Telegram të martën në mëngjes. Sipas raportimeve, një avion transporti ushtarak amerikan C-17A u nis nga Baza Ajrore Andrews, pranë Uashingtonit, dhe u ul në aeroportin Vnukovo të Moskës, pas një ndalese në Riga të Letonisë.
Më pas u raportua për lëvizjen e një autokolone automjetesh me targa diplomatike në kryeqytetin rus. Mediat amerikane, përfshirë Axios, raportuan se John Ratcliffe ndodhej në avion.
Deri tani, as Shtëpia e Bardhë dhe as CIA nuk kanë bërë të ditur se me kë do të takohet drejtori i inteligjencës amerikane apo cila është axhenda e vizitës.
Megjithatë, mediat ruse dhe ukrainase kanë raportuar se një takim me Vladimir Putinin është i mundur.
Sipas gazetës ruse Kommersant, gazetari që mbulon aktivitetet e Kremlinit, Alexander Yunasev, shkroi në Telegram se Putin kishte planifikuar një aktivitet të madh për të martën, ku pritej të merrnin pjesë qindra persona, por eventi u shty.
“Duke pasur parasysh se burimet e mia konfirmuan se ishte drejtori i CIA-s ai që udhëtoi për në Moskë, tani mund të spekulojmë se pse takimi ndryshoi axhendën e presidentit”, shkroi Yunasev.
Një video e publikuar në rrjetet sociale shfaq një autokolonë amerikane pranë Kremlinit, duke nxitur spekulimet se Ratcliffe mund të jetë takuar me homologun e tij në shërbimin sekret rus, FSB. Megjithatë, nuk ka konfirmim zyrtar se drejtori i CIA-s është takuar me presidentin Putin.
Sipas një raportimi të Wall Street Journal, Ratcliffe mund të ketë udhëtuar në Moskë për t’i përcjellë Putinit një paralajmërim personal që të mos ndërmarrë ndonjë sulm ndaj Evropës.
Gazeta shkruan se agjencitë amerikane të inteligjencës kanë marrë informacione që sugjerojnë se Rusia mund të jetë duke u përgatitur për një veprim ofensiv për të testuar vendosmërinë e NATO-s.
Beth Shaner, ish-zëvendësdrejtoreshë e Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës për Integrimin e Operacioneve të Inteligjencës Amerikane, spekuloi se Ratcliffe mund t’i ketë përcjellë Putinit një mesazh të drejtpërdrejtë.
“Mund të jetë një mesazh i tipit: ‘E dimë çfarë do të bëni dhe më mirë të mos e bëni’”, tha Shaner për WSJ.
Vizita mund të lidhet gjithashtu me negociatat për një armëpushim mes SHBA-së dhe Iranit dhe me rolin e Rusisë në këtë proces.
Sipas Shaner, Ratcliffe mund të ketë diskutuar edhe për mbështetjen e Kremlinit ndaj Teheranit, në një kohë kur Uashingtoni ka njoftuar sanksione ndaj vendeve që tregtojnë me Iranin.
Ish-këshilltari i ministrit të Brendshëm ukrainas, Anton Kherashenko, iu referua disa prej skenarëve që qarkullojnë lidhur me vizitën e papritur të Ratcliffe në Moskë.
Ai vuri në dukje se axhenda e Putinit ishte ndryshuar pas raportimeve për mbërritjen e drejtorit të CIA-s në kryeqytetin rus.
Kherashenko theksoi gjithashtu se, ndërsa vazhdojnë pritjet për vizitat në Kiev dhe Moskë të të dërguarve të Presidentit Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, ishte pikërisht Ratcliffe ai që mbërriti në Moskë.
Sipas tij, Ratcliffe, së bashku me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, konsiderohet një nga figurat më të ashpra të administratës Trump ndaj Kremlinit.
Një nga skenarët është se vizita mund të ketë qenë një paralajmërim për Moskën, në rast se Rusia vazhdon të refuzojë t’i japë fund luftës në Ukrainë.
Një tjetër teori lidhet me përshkallëzimin e luftës hibride të Rusisë kundër Evropës. Mediat amerikane kanë raportuar së fundmi se agjencitë amerikane të inteligjencës po paralajmërojnë për përpjekje të mundshme ruse për të sulmuar shtete anëtare të NATO-s, me synimin për të testuar unitetin e Aleancës.
Deri më tani, detajet e vizitës së Ratcliffe në Moskë mbeten të paqarta dhe nuk dihet zyrtarisht se me cilët zyrtarë rusë është takuar apo cilat çështje janë diskutuar.