“Kosova do të duket si Kandahar, Serbia do t’i ketë duart e lira”/ Dokumenti “Top Secret’ i shërbimit sekret serb në telefonin e Shehollit, zbulohet plani për xhamitë

IMG_6568

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit për spiunazh dhe shantazh.

Sheholli, i arrestuar në tetor të vitit të kaluar, ngarkohet me veprën penale të spiunazhit pasi, nga një datë e pacaktuar e deri në ditën e arrestimit të tij, “me dashje direkte, në cilësinë e personit të rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë – (i njohur si “BIA”), e ka ndihmuar veprimtarinë e këtij shërbimi”.

Sipas korrespondentes së Top Channel Leonita Bajrami, pjesë e aktakuzës është edhe një dokument të cilin Prokuroria e cilëson si provë relevante për vërtetimin e natyrës së kontakteve dhe veprimtarisë së tij në raport me strukturat e shërbimit informativ serb, BIA.

Gjatë ekzaminimit të telefonit të Fatmir Shehollit, autoritetet kanë nxjerrë si provë edhe një fotografi me mbishkrimin “Top Secret 2”.

Shkrimi i plotë në shqip:

“Pasi që të bëjmë marrëveshje me operativet tanë në Kosmet, mbledhjen e fondeve nga ambasadat islamike në Beograd shumica e këtyre parave do të investohen në ndërtimin e xhamive. Xhamitë duhet të ndërtohen në vende të dukshme si afër auto udhëve, shkollave, qendrave tregtare ndërsa xhamitë ne fshatrat e mëdha duhet të dyfishohen dhe trefishohen”.

Pranë xhamive, shkollat islamike (mdereset) duhet te shtrihen në të gjithë vendin edhe në ato vende ku interesimi është më i vogël, fëmije dhe të rritur duhet të barten nga vendet ku feja është më e rëndësishme se kombi si nga vendet Mitrovicë, Vushtrri, Djeneral jankovic, Kaqanik, Dragash dhe Prizren. Krahas operativëve Shqiptar kontribut të madh do të japin edhe njerëzit tanë nga Maqedonia, Bosnja dhe Sanxhaku duke përfshirë Romët dhe Ciganet të cilët janë të gatshëm të punojnë per ne dhe të aktivizohen në Islam.

Udhëheqësit e bashkësive islamike të Serbisë, Maqedonisë, Bosnes, Kosmetit janë nën kontrollin tonë dhe po punojnë qe sa me shume të inkuadrojnë njerëz me kombësi Shqiptare me ndikim ne Sport , media muzike dhe politike. Edhe në disa parti politike kemi njerëzit tanë të cilët punojnë për ne dhe të cilët e përkrahin fuqishëm islamin dhe të cilët janë të lidhur me udhëheqësit islam të cilët janë duke shpërndarë islamin edhe në vendet ku nuk ka pasur kurrë xhami.

Ne vendet perëndimore janë deleguar njerëzit tanë nga bashkësitë islame nga Kosova dhe Sanxhaku të cilët janë nën urdhrat e ambasadave tona në Zvicër, Gjermani dhe Belgjike. Me këtë do te arrijmë që ti ndajmë Shqiptarët të cilët jetojnë jashtë shteti kryesisht në Zvicër dhe Gjermani ku jetojnë Shqiptarët më të pasur dhe me të fuqishëm të cilët e kanë përkrahur Rugovën. Poshtë në Kosmet duhet të krijohet atmosfera ashtu që njerëzit të ndjehen sikur po jetojnë në një shtet të huaj kështu që një pjesë e rinisë do të ikë jashtë Kosovës dhe një pjesë do të vendosin për fenë islame. Pas 20 viteve Kosova do të duket si Kandahar.

Fuqitë perendimore do të ndryshojnë mendimin për Kosovën dhe kështu do te vendosin për kthimin e Kosovës nën juridiksionin e Serbisë. Kur kjo të arrihet Serbia do ti ketë duart e lira të përsëris përndjekjen e Shqiptareve në Turqi mirëpo këtë herë jo përmes forcës por përmes udhëheqësve fetarë për punësim dhe duke ju ofruar super kushte për migrim në Turqi. Për këtë Serbia ka dritën jeshile nga shteti i Turqisë”.

“Nga analizimi i dokumentit të gjetur në telefonin e të pandehurit Fatmir Sheholli rezulton se bëhet fjalë për një plan veprimi që synon destabilizimin e Republikës së Kosovës, krijimin e perceptimit të saj si shtet i radikalizuar dhe ekstremist dhe dëmtimin e pozitës së saj ndërkombëtare. Dokumenti parasheh shfrytëzimin e rrjeteve të personave të angazhuar në Kosovë dhe rajon për financimin dhe përhapjen e aktiviteteve fetare, si dhe ndikimin te figura dhe prijës fetarë, me qëllim të krijimit të një narrative negative për Kosovën, nxitjes së migrimit dhe ndikimit në qëndrimet e vendeve perëndimore ndaj saj”, sqaron prokuroria në dosjen kundër Shehollit.

Këtë plan, sipas aktakuzës, Sheholli ia ka përcjellë një personi Viktor Makedonija.