Filloi dhe u shty seanca e parë gjyqësore për rastin “Lotarija”

IMG_6509

Me furgon policie, mëngjesin e 24 gushtit, në Gjykatën Themelore Penale në Shkup u dërgua ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi, në seancën e tij të parë si i akuzuar në rastin që lidhet me Lotarinë Shtetërore, ku dëmi i vlerësuar ndaj buxhetit është 8.2 milionë euro.

Megjithatë, sapo filloi gjykimi, gjyqtarja lexoi të dhënat bazë për të akuzuarit dhe seanca u shty me kërkesë të njërit prej avokatëve të të akuzuarve, në mënyrë që ai të shqyrtojë dosjen e lëndës dhe të përgatisë mbrojtjen.

Së bashku me Grubin, në këtë rast janë gjithsej tetë të akuzuar. I akuzuari i parë është ish-drejtori i përgjithshëm i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, i cili është në arrati dhe ndaj tij gjyqi zhvillohet në mungesë.

Të gjithë të tjerët janë të pranishëm dhe sot u paraqitën në sallën e gjyqit. Mes tyre janë ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Metodija Dimovski, si dhe pesë anëtarë të Bordit Mbikëqyrës të Lotarisë Shtetërore.

Për secilin prej tyre, prokurorët Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski sollën në sallën e gjyqit nga një kuti kartoni të bardhë, të mbushur me prova të mbledhura gjatë hetimit.

Prokuroria ka gjithsej 231 prova materiale (dokumente), si dhe shtatë dëshmitarë. Kopjet e tyre u vendosën në tetë kutitë e kartonit, nga një për secilin të akuzuar, të cilat pas përfundimit të seancës i morën me vete të akuzuarit ose avokatët e tyre.

Aktakuza për këtë rast u dorëzua më 13 gusht. Bëhet fjalë për një propozim-akuzë dhe gjykimi do të zhvillohet sipas procedurës së shkurtuar.

Të tetë të akuzuarit ndiqen penalisht për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimeve.

Prokuroria Themelore Publike Shkup më 13 gusht 2026 ka ngritur aktakuzë kundër gjithsej 8 personave si bashkëkryerës të veprës penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar” nga neni 353 paragrafi 5 në lidhje me paragrafin 4 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal, për çka parashihet dënim me burg prej më së shumti pesë vite. Të akuzuarit dyshohen se gjatë viteve 2023 dhe 2024 bashkërisht kanë ndërmarrë veprime me të cilat i kanë tejkaluar kufijtë e autorizimeve dhe detyrave të veta të posaçme, me qëllim që ta dëmtojnë Lotarinë Shtetërore në vlerë të 507.632.173 denarëve.

Siç sqaron Prokuroria, dëmi konsiderohet të jetë prej 507.632.173 denarësh (mbi 8.2 milionë euro).