Temelko përpiqet të mbulojë skandalin e himnit: Pamjet dhe deklarata e Pustecit e rrëzojnë versionin e tij

IMG_6483

Edmond Temelko përpiqet të relativizojë skandalin e mosintonimit të himnit shqiptar gjatë vizitës së kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në Shqipëri.

Temelko pretendon se kryeministri shqiptar Edi Rama është keqinformuar nga shërbimet sekrete dhe se himni shqiptar është kënduar gjatë ceremonisë.

Por versioni i tij përballet me një tjetër problem: pamjet që ai publikon për të mbështetur pretendimin janë të një skene të filmuar natën, ndërsa aktiviteti zyrtar ku mori pjesë Mickoski është zhvilluar pasdite, në dritë të diellit dhe është dokumentuar nga kamerat televizive.

Pra, pamjet e publikuara nga Temelko nuk përputhen me ceremoninë për të cilën është ngritur debati.

Një tjetër fakt që bie ndesh me pretendimin e Temelkos është deklarata publike e kryetarit të Komunës së Pustecit, Pali Kolevski, i cili kërkoi falje publikisht për incidentin.

Kjo deklaratë e bën edhe më të vështirë pretendimin se bëhet fjalë thjesht për një “keqinformim” apo një skandal të sajuar.

Në vend që të sqarojë se çfarë ka ndodhur gjatë ceremonisë zyrtare, Temelko sjell pamje nga një moment tjetër, duke krijuar konfuzion mbi atë që realisht ka ndodhur.

Pyetja që mbetet është e thjeshtë: nëse himni shqiptar është intonuar gjatë ceremonisë zyrtare, pse pamjet e publikuara nga Temelko janë të një skene të natës dhe pse kryetari i Pustecit kërkoi falje publikisht?