Vdes në Hagë Ratko Mladić, i dënuar për gjenocid
Ratko Mladić, ish-komandanti ushtarak i serbëve të Bosnjës dhe një nga figurat kryesore të luftës në Bosnje e Hercegovinë, ka vdekur sot në qendrën e paraburgimit të Kombeve të Bashkuara në Hagë, ndërsa po vuante dënimin me burgim të përjetshëm. Lajmi është raportuar nga televizioni serb Informer dhe është konfirmuar nga Reuters.
Mladić, 84 vjeç, ishte dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte për rolin e tij në luftën e Bosnjës gjatë viteve 1992–1995. Në vitin 2017, Tribunali i Hagës e dënoi me burgim të përjetshëm, ndërsa në vitin 2021 dënimi u konfirmua në apel.
Ai u shpall përgjegjës, ndër të tjera, për rolin në gjenocidin e Srebrenicës, ku u vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem boshnjakë, si dhe për rrethimin e Sarajevës.
Vdekja e tij vjen pas një periudhe të gjatë të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore. Në muajt e fundit, avokatët e tij kishin kërkuar lirimin për arsye humanitare, por kërkesa ishte refuzuar.
Ratko Mladić u arrestua në Serbi në vitin 2011, pas rreth 16 vitesh në arrati, dhe më pas u transferua në Hagë për t’u përballur me akuzat për krime të rënda të kryera gjatë luftës së Bosnjës.