BDI sot ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të VMRO-së, Hristijan Mickoski i cili tha se në këto zgjedhje do ta “pensionojë politikisht” Ali Ahmetin.
“Mbrëmë, Hristijan Mickoski shpërfaqi qartë obsesionin e tij politik për të kontrolluar skenën shqiptare në Maqedoni. Deklarata e tij e fundit, ku flet për “pensionimin politik” të liderit të shqiptarëve, Ali Ahmeti, nuk është vetëm një dëshirë personale, por një vazhdim i strategjisë së tij për të dobësuar, marginalizuar dhe kontrolluar shqiptarët.
Vetëm disa ditë më parë, ai deklaroi se qëllimi i këtyre zgjedhjeve është zhdukja e BDI-së nga skena politike e vendit, dhe kështu konfirmoi atë që kemi paralajmëruar për muaj të tërë: Mickoski nuk kërkon thjesht fitore zgjedhore, por dominim mbi shqiptarët dhe përpjekje për të kontrolluar përfaqësimin e tyre.
Mickoski dhe VMRO-DPMNE, kur flasin për “zogj e bilbila”, i referohen vetëm “shqiptarëve të tyre të ndershëm”, ata që i kanë nën kontroll në qeveri. Por shqiptarët e vërtetë, shqiponjat e këtij vendi, nuk mund të mbyllen nën një çati politike. Më 19 tetor, shqiptarët do të tregojnë fuqinë dhe vendosmërinë e tyre, duke i dhënë përgjigjen e merituar këtij obsesioni.