Partia më e madhe opozitare LSDM prezantoi sot një Projektrezolutë për të përcaktuar qëndrimet e përbashkëta shtetërore dhe kombëtare për vazhdimin e procesit të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian. Kryetari i partisë, Venko Filipçe, tha sot në një konferencë për shtyp se zgjidhjet propozohen duke marrë parasysh interesat e larta kombëtare dhe shtetërore dhe përqindjen e madhe të mbështetjes për anëtarësim në BE.
Sipas Filipçes, pjesët më të rëndësishme të Projektrezolutës, ose, siç e quajti ai, “vijat e kuqe”, të cilat askush nuk duhet t’i kalojë, janë kërkesa për respektim të vazhdueshëm të karakteristikave gjuhësore, identitare, historike dhe kulturore të popullit maqedonas si elementë që nuk janë të negociueshëm me BE-në. Dokumenti këmbëngul që gjuha maqedonase të bëhet një nga gjuhët zyrtare të BE-së pa shtesa ose fusnota. Gjithashtu parashikohet që vendi të jetë i gatshëm të përmbushë detyrimet e Kornizës Negociuese, përfshirë ndryshimet kushtetuese, me një përcaktim të qartë se kjo është pengesa e fundit, pa pranuar kërkesa të reja ose çështje me natyrë dypalëshe dhe identitare, dhe që të gjitha çështjet me Bullgarinë të zgjidhen në takime dypalëshe pa vendosur bllokada të reja.
Filipçe tha se pret që të gjitha subjektet politike ta shqyrtojnë draft-dokumentin dhe të japin sugjerime konstruktive për miratimin e tij të përbashkët dhe që të mos keqpërdoret në fushatën për zgjedhjet lokale.
Pjesa e parë e rezolutës përmban deklaratat dhe rezolutat e mëparshme të miratuara nga Kuvendi me konsensus, dhe dokumenti përcakton që Qeveria dhe Kuvendi do të angazhohen plotësisht për zbatimin e agjendës së reformave, që të gjitha institucionet shtetërore do t’i përmbahen vazhdimisht vendosmërisë për të respektuar pa kushte karakteristikat gjuhësore, identitare, historike dhe kulturore të popullit maqedonas, dhe se gjatë negociatave dhe pas anëtarësimit në BE, Qeveria nuk do të pranojë të diskutojë një zgjidhje të ndryshme për gjuhën maqedonase nga ajo e deklaruar në Kornizën Negociuese.
Dokumenti përcakton gjithashtu një afat kohor për zbatimin e aktiviteteve sipas të cilave Qeveria duhet të shqyrtojë amendamentet e paraqitura për përfshirjen e komuniteteve bullgare dhe të tjera etnike në Kushtetutë dhe të deklarojë nëse ajo mbetet me të njëjtin tekst nga 15 nëntori deri më 25 nëntor 2025, dhe nëse propozohet tekst i ri i amendamenteve, ai duhet të miratohet nga Qeveria dhe t’i dorëzohet Kuvendit deri më 1 dhjetor 2025. Kuvendi duhet të fillojë procedurën për ndryshimin e Kushtetutës dhe të arrijë fazën e parë të votimit jo më vonë se 15 dhjetori 2025, dhe votimin përfundimtar jo më vonë se 10 shkurti 2026. Në të njëjtën ditë të votimit përfundimtar, Qeveria duhet t’u dërgojë një letër shteteve anëtare të BE-së dhe Komisionit Evropian duke deklaruar se detyrimi ynë për të zhbllokuar procesin e negociatave është përmbushur dhe t’i bëjë thirrje Komisionit Evropian të organizojë një Konferencë Ndërqeveritare midis shteteve anëtare të BE-së dhe Maqedonisë së Veriut jo më vonë se 15 shkurti 2026.
Ndryshe, Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.