Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ashpër pas një incidenti të rëndë të ndodhur në qytetin e Tetovës, ku dy nxënës shqiptarë të shkollës së mesme ekonomike janë sulmuar brutalisht nga një grup prej më shumë se 20 personash, të identifikuar si pjesëtarë të grupit “Vojvoda”
Sipas njoftimit zyrtar të partisë, të rinjtë kanë pësuar lëndime serioze – njëri me hundë të thyer dhe tjetri me fraktura në brinjë dhe krah dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
“Mosveprimi i institucioneve është një sinjal shqetësues që inkurajon grupe të dhunshme si ky. Dhuna ndaj të miturve është vijë e kuqe dhe nuk mund të tolerohet,” thuhet më tej në reagim.
Aleanca kërkon që rasti të mos mbyllet si incident i zakonshëm, por të trajtohet si një akt i organizuar dhune me motiv etnik. Po ashtu, ASh shpreh mbështetjen për familjet e viktimave dhe inkurajon ndjekjen ligjore deri në fund.