Nevrij Ademi gazetar:
Reagim dhe kundërshtim ndaj deklaratës së Këshillit të Nderit
Të nderuar,
Me gjithë respektin për rolin dhe angazhimin tuaj në mbrojtjen e standardeve etike në gazetari, dëshiroj të shpreh pakënaqësinë time serioze lidhur me deklaratën tuaj të fundit që i referohet sjelljes sime gjatë konferencës për shtyp të ministres së Arsimit dhe Shkencës.
Para së gjithash, konsideroj se në këtë rast nuk është marrë parasysh qëndrimi im, as nuk më është dhënë mundësia të jap shpjegimin tim përpara se të nxirret një përfundim i tillë publik. Kjo, sipas meje, përbën shmangie nga parimet e objektivitetit dhe trajtimit të drejtë, të cilat duhet të vlejnë pikërisht për organet që kujdesen për etikën në media.
Po ashtu, i hedh poshtë në mënyrë kategorike pretendimet se komunikimi im ka qenë i papërshtatshëm apo se kam përdorur ton agresiv. Pyetjet e mia janë bërë brenda kornizave të profesionit të gazetarit, me qëllim për të marrë përgjigje në interes publik, pa asnjë synim për të fyer apo cenuar dinjitetin e të pranishmëve.
Gjithashtu, dua të theksoj se Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) është e informuar mirë për nivelin tim të njohjes së gjuhës maqedonase, gjë që në raste të caktuara mund të ndikojë në mënyrën e shprehjes, por jo në qëllimin apo qasjen profesionale.
Mbetem i hapur për dialog konstruktiv dhe jam i gatshëm të sqaroj qëndrimin tim në çdo format që ju e konsideroni të përshtatshëm, me qëllim që rasti të shqyrtohet në mënyrë të plotë dhe objektive.
Me respekt,
Nevrij Ademi
