Kryeministri Albin Kurti ka thënë se do të ftojë në takim liderët e partive opozitare rreth çështjes së presidentit.
Kurti e konfirmoi se pret që javën e ardhshme të ketë takim me liderët e opozitës, pasi ftesat tha se do t’ua nisë qysh sot.
“Unë besoj që me krerët e partive opozitare duhet të takohemi dhe qysh sot do t’u dërgoj ftesa për t’u takuar qysh në fillim të javës së ardhshme”, deklaroi Kurti.
Paraprakisht, ai tha se Kosovës tani më së paku i duhen zgjedhjet. Kurti theksoi se është e domosdoshme një marrëveshje me partitë opozitare për çështjen e presidentit.
“Unë nuk kam se çfarë të shtoj prej konferencës për media që kam pasur para një jave dhe nuk besoj që është e nevojshme ta përsëris veten. Presidentja e Republikës është kreu i shtetit ku unë jam kryeministër i vendit dhe unë besoj që kemi një çështje që tash ndodhet në Kushtetuese dhe theksi duhet të vihet tek fakti që vitin e kaluar kemi pasur katër palë zgjedhje dhe jam i bindur që nuk duhet ta përsërisim vitin 2025. Viti 2026 është vit i ri. Nuk është as e drejtë dhe as e dobishme që të kemi zgjedhje të përsëritura. Prandaj është e domosdoshme që të kemi marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit dhe qytetarët presin prej nesh, stabilitet institucional e jo zgjedhje të përsëritura. Nuk ka nevojë për zgjedhje të përsëritura, ka nevojë që sa më parë ta kemi aktgjykimin e Kushtetueses dhe të fillojë Kuvendi të punojë. Zgjedhjet e reja do të kushtonin së paku 10 milionë euro. Nuk bëhet fjalë tani se kush e ka shumicën dërmuese, Vetëvendosje ka fituar me 51 përqind dhe çështja është te kuorumi prej 80 deputetëve dhe nuk besoj se na duhen zgjedhjet e reja për të pasur garë se a do ti kemi 80 deputetë”, tha Kurti.
