“Pa ne, sot Europa do të fliste gjermanisht ose japonisht”, Trump fjalim të fortë në Davos: Dua Groenlandën, nëse thoni ‘jo’, nuk do t’ua harroj kurrë

Nga NATO dhe Europa, te Groenlanda dhe negociatat me Macron për barnat. Paparashikueshmëria e fjalimeve të Trump u vu në dukje edhe në podiumin e forumit ekonomik vjetor në Davos të Zvicrës, ku kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk i kurseu kritikat për aleatët e SHBA-ve.

Ai thotë se po u drejtohet udhëheqësve të biznesit, miqve dhe “disa armiqve”. Trump tha se po sjell “lajme fenomenale” nga Amerika, duke theksuar shifrat ekonomike dhe mbylljen e kufirit në SHBA.

“Ekonomia po lulëzon,” thotë ai.

“Tregjet kanë shënuar rritje, janë shënuar shifra rekorde dhe kursimet e qytetarëve janë rritur dhe investimet janë dyfishuar duke thyer rekorde. Asnjë vend nuk e ka bërë këtë sukses ekonomik më parë. Kur vendi drejtohej nga demokratët ishte vend i vdekur, tani jemi të suksesshëm. Ekonomia amerikane parashikohet të rritet më tej. Është lajm i mrekullueshëm suksesi i Amerikës. Kur Amerika ka ekonomi të mirë, është lajm i mirë për të gjithë botën. Sot dua të diskutoj sesi e kemi arritur dhe sesi presim situatën ekonomike. Mund të mësoni edhe ju duke ndjekur hapat që kemi ndjekur dhe ne për për përmirësuar situatën ekonomike. Nuk dua të fyej asnjë vend, e dua shumë Eropën. E dua të ketë sukses, por nuk është në drejtimin e duhur. Mënyra e vetme për të rritur ekonominë është të kontrollojmë ekonominë”.