Hristijan Mickoski mori mandatin e tretë nga delegatët në Kongresin e 18-të të partisë për ta udhëhequr VMRO-DPMNE-në në katër vitet e ardhshme, që sipas statutit të partisë do të jetë mandati i tij i fundit.
Sipas Zoranço Jovançevit, kryetar i Komisionit Zgjedhor, nga 817 delegatë të pranishëm, 804 votuan dhe i dhanë mbështetje një mandati të ri Mickoskit.
Në kongresin në Kavadar, ata e rizgjodhën Mickoskin për lider të partisë, i cili ishte edhe kandidati i vetëm për këtë funksion.
Në kongresin, i cili u mbajt nën moton “Vizion që ndërton shtet – Për gjeneratën që vjen 2030”, u miratuan dy dokumente politike: Strategjia 2025–2030 dhe Doktrina.
Pas numërimit dhe shpalljes së votave, pasoi fjalimi i kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Në fjalimin e tij, Mickoski theksoi se e pranon besimin jo si fitore politike, por si një besëlidhje të përbashkët.
– Gjenerata jonë ka një privilegj të rrallë: ta kapërcejë kohën midis Maqedonisë së vjetër – një shtet i ngarkuar me kriza, dyshime dhe pasiguri – dhe Maqedonisë së re që po e ndërtojmë sot, një shtet që qëndron drejt, me vetëbesim më të lartë, me drejtim të qartë dhe me vetëdijen se e ardhmja nuk pritet, por krijohet. Pikërisht për këtë e pranoj këtë besim jo si fitore politike, por si një besëlidhje të përbashkët. Besëlidhje se do ta vazhdojmë modernizimin pa e humbur thelbin. Besëlidhje se do ta ruajmë traditën pa u bërë peng të së kaluarës. Besëlidhje se do të ecim evropianisht, por gjithmonë maqedonisht. Dhe besëlidhje që çdo vendim tonin ta masim me pyetjen: “A e forcon dinjitetin e shtetit?” – tha Mickoski.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së theksoi se kushdo që e udhëheq këtë parti duhet ta kuptojë të vërtetën që shpesh harrohet: se Maqedonia nuk ka dështuar nga dobësitë, por nga ambiciet e vogla.
– Historia nuk na mëson se fitoret janë të shkurtra, por se sistemet janë të gjata. Dhe nëse vepra jonë ka vlerë, ajo nuk do të matet sot, por pas njëzet vitesh, kur gjeneratat e reja do të mund të thonë se jetojnë në një vend që nuk ra në tundimin të përsëritet, por pati guximin të transformohet. Kushdo që e udhëheq këtë parti duhet ta kuptojë të vërtetën që shpesh e harrojmë: Maqedonia nuk ka dështuar nga dobësitë, por nga ambiciet e vogla. Nga politikanë që mendonin për fjalimin e radhës, e jo për gjeneratën e radhës. Nga qeveri që krijonin miq, por jo institucione. Nga sisteme që mbaheshin me improvizim, e jo me disiplinë – theksoi Mickoski.
Duke falënderuar edhe një herë për besimin, Mickoski theksoi se ky nuk është një barrë e lehtë, por një barrë që e pranon me qetësi, sepse e di se nuk e mban i vetëm dhe se pas tij qëndron populli.
– Me qetësi, sepse e di se pas meje qëndron populli dhe qëndroni të gjithë ju, të cilët në momentet më të vështira nuk e humbët as shpresën, as dinjitetin. Në vitet që kaluan, është folur shumë se çfarë duhet të jetë Maqedonia, por shumë pak se çfarë mund të bëhet. Sepse shtetet nuk i shkatërrojnë armiqtë nga jashtë, por dyshimet dhe mungesa e ambicies nga brenda. Maqedonia për shumë kohë ishte mësuar ta shohë veten me sytë e të tjerëve, të matet me pritjet e huaja, të ecë me ritëm që e diktonte dikush tjetër – theksoi, ndër të tjera, Mickoski.
