Rusia godet kompleksin ku banon ambasadori shqiptar në Kiev, Ministri Hoxha: E papranueshme! Ambasadori i Federatës Ruse në Shqipëri është thirrur për shpjegime

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar ashpër pas sulmeve të fundit ruse me raketa balistike dhe dronë ndaj objektivave civile në Ukrainë, duke zbuluar se gjatë bombardimeve është goditur edhe kompleksi rezidencial ku banon ambasadori shqiptar në Kiev.

Në një postim në rrjetin social X, ai e cilësoi sulmin si një përshkallëzim të rëndë dhe të papranueshëm, ndërsa theksoi se Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë krah Ukrainës përballë agresionit rus.

Deklarata e ministrit Hoxha në X

‘Shqipëria dënon me forcë një tjetër sulm brutal në shkallë të gjerë me raketa balistike dhe dronë të nisur mbrëmjen e fundit nga Rusia ndaj objektivave civile në Ukrainë, në një shpërfillje totale të jetës dhe dinjitetit njerëzor.

Këtë herë u godit kompleksi rezidencial ku banon Ambasadori i Shqipërisë në Ukrainë, duke e vënë jetën e tij në rrezik serioz. Kjo është e papranueshme!

Targetimi i zonave civile dhe vënia në rrezik e personelit diplomatik përfaqëson një përshkallëzim të rëndë dhe një tjetër kujtesë të zymtë të kostos njerëzore të agresionit të vazhdueshëm të Rusisë.

Kjo luftë e zgjedhur nga Rusia ka zgjatur shumë gjatë. Për më shumë se katër vjet që nga pushtimi i paligjshëm në shkallë të gjerë, Rusia ka targetuar pa pushim infrastrukturën energjetike, shkollat, spitalet dhe shtëpitë në të gjithë Ukrainën. Megjithatë, ajo nuk ka arritur të thyejë guximin, vendosmërinë, qëndrueshmërinë dhe forcën e popullit ukrainas.