BGNES: Shkupi po mikson “Botën Serbe” me albanofobinë.

Mickovski zgjodhi rrugën e manovrimit politik.

Ditët e fundit, Maqedonia e Veriut është bërë arenë e një krize politike, etnike dhe diplomatike në përshkallëzim. Kërkesa e studentëve shqiptarë të drejtësisë për ta dhënë provimin shtetëror të jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare u shndërrua në katalizator të zhvillimeve që zbulojnë çarje të thella në shoqëri. Reagimet e aparatit shtetëror në Shkup – nga ndalimi i të rinjve pranë kufirit serb deri te demarshi diplomatik – vizatojnë një tablo shqetësuese të rritjes së albanofobisë, të përzier me reflekse gjeopolitike të së kaluarës.

Në thelb të pakënaqësisë aktuale qëndron një mosmarrëveshje shumëvjeçare për përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet zyrtare shtetërore. Studentët e drejtësisë nga komuniteti shqiptar janë të detyruar me ligj që provimin shtetëror ta japin në gjuhën maqedonase, ndonëse studimet i kanë zhvilluar në shqip. Protestuesit këtë e konsiderojnë diskriminim të drejtpërdrejtë, shkelje të Kushtetutës dhe të Ligjit për Gjuhët, që krijon barriera artificiale për zhvillimin e tyre profesional.

Pas demonstratave të para më 6 prill, tensionet u përshkallëzuan më 18 dhe 19 maj. Marshimet në Shkup, të zhvilluara nën moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë me një zë”, përfunduan para Ministrisë së Drejtësisë (e udhëhequr nga Igor Fillkov nga lëvizja “ZNAM”). U regjistruan përplasje fizike, të plagosur dhe të arrestuar.

Edhe në skenën politike pati përpjekje për ta shfrytëzuar krizën. Partia shqiptare në pushtet “Vlen” akuzoi Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) se qëndron pas nxitjes së studentëve për përfitime politike. Ndërkohë, BDI akuzoi ministrat shqiptarë në kabinetin e Hristijan Mickoskit për paaftësi në mbrojtjen e të drejtave të komunitetit të tyre.

Incidenti më shqetësues, që shkaktoi reagime të ashpra ndërkombëtare, ndodhi në kufi. Rreth 40 studentë shqiptarë nga Tirana, që po udhëtonin drejt Shkupit për të mbështetur protestat, u bllokuan nga autoritetet maqedonase. Studentët fillimisht u ndaluan në pikën kufitare “Bllatë”. Më pas u transferuan dhe u mbajtën plot 8 orë në një autobus në një fshat pranë Kumanovës – në afërsi të menjëhershme me kufirin serb. Sipas dëshmive të të ndaluarve, ata u lanë pa ushqim dhe pa sqarime të qarta, ndërsa iu nënshtruan “kontrolleve”. Vetëm pas ndërhyrjes së ambasadës shqiptare në Shkup, të rinjtë u lokalizuan dhe u lejua vazhdimi i udhëtimit.

Deputeti i Partisë Demokratike në Shqipëri, Gazmend Bardhi, reagoi ashpër duke i quajtur veprimet e Shkupit “rrëmbim shtetëror”. Ai dënoi trajtimin e të rinjve 18-20 vjeç si kriminelë të rrezikshëm. Bardhi nuk kurseu kritika as ndaj kryeministrit shqiptar Edi Rama për heshtjen e plotë të Tiranës. Shtyrja e qytetarëve shqiptarë drejt kufirit serb si formë “ndëshkimi” dhe frikësimi është një veprim simbolik që shumëkush e lexon si reverencë ndaj praktikave gjeopolitike serbe në rajon.

Përshkallëzimi nuk i anashkaloi as marrëdhëniet diplomatike. Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, u bë shënjestër si e presionit institucional, ashtu edhe e sulmeve të shëmtuara online. Ministria e Punëve të Jashtme në Shkup thirri përfaqësinë diplomatike të Shqipërisë për t’i dorëzuar një demarsh verbal për shkak të deklaratave të Meidanit në mbështetje të protestave studentore. Shkupi i cilësoi veprimet e tij si “ndërhyrje të mundshme në punët e brendshme”. Faqe nacionaliste maqedonase në rrjetet sociale shpërthyen me ofendime vulgare dhe thirrje që ambasadori “të shkojë në shtëpi”. U shfaqën edhe informacione jozyrtare se Meidani mund të tërhiqet para kohe nën presionin e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit “Vlen”, të pakënaqur me qëndrimin e tij aktiv për të drejtat e shqiptarëve.

Refuzimi institucional i gjuhës shqipe po çon në radikalizim të pashmangshëm të retorikës së intelektualëve shqiptarë. Shkrimtari dhe publicisti Kim Mehmeti bëri një thirrje skandaloze për opinionin maqedonas: shqiptarët të ndalojnë së mësuari dhe foluri maqedonisht.

“Ekziston një mënyrë shumë praktike për ta barazuar shqipen me maqedonishten: të sillemi pikërisht si bashkëqytetarët tanë maqedonas, të cilët nuk mësojnë dhe nuk flasin shqip… Të kemi institucionet tona, ku ata do të vijnë me përkthyes në gjuhën e tyre, ndërsa ne tek ata – me përkthyes në gjuhën tonë”, deklaroi Mehmeti dhe shtoi:

“Ndoshta ata që e duan vetëm shqiptarin e vdekur dhe që nuk e duan një Maqedoni ku flitet edhe shqip, do ta kuptojnë vetëm këtë ‘gjuhë’! Dhe ndoshta vetëm kështu qarqet antishqiptare maqedonase do ta kuptojnë se mirësia jonë në njohjen e të gjitha karakteristikave të tyre etnike dhe gjuhësore nuk është dobësi dhe as nënshtrim ndaj pushtetit maqedonas. Ndërkohë duhet pranuar se pushtetarët maqedonas sillen me përçmim ndaj shqiptarëve këtu, sepse vasalët e Vlenit bëjnë politikë me pantallona të ulura!”.

Ngjarjet e ditëve të fundit tregojnë qartë se përpjekjet për shtypjen e të drejtave gjuhësore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut nuk sjellin integrim, por konflikte të ashpra. Kombinimi i arbitraritetit policor në kufij, drejtimit të shtetasve të huaj kah kufiri serb, skandaleve diplomatike dhe radikalizimit të diskursit publik krijon një precedent të rrezikshëm. Shkupi po rrezikon të zgjojë fantazmat e vjetra të ndarjeve etnike, duke miksuar reflekset e një modeli të kaluar autoritar dhe proserb me një albanofobi të hapur institucionale.

Simbioza mes albanofobisë dhe shërbimit ndaj interesave të huaja gjeopolitike shihet më qartë në standardin e dyfishtë të qeverisë së Hristijan Mickoskit. Kërkesat e studentëve shqiptarë dhe mbështetja diplomatike për ta shpallen si “ndërhyrje e rrezikshme e jashtme”, për shkak të së cilës bllokohen kufij dhe thirren ambasadorë, ndërkohë që Shkupi mbyll sytë përballë operacionalizimit të drejtpërdrejtë të “Botës Serbe” në territorin maqedonas.

VMRO-DPMNE dhe struktura të afërta me zëvendëskryeministrin proserb dhe pror rus Ivan Stoilkoviq organizojnë qytetarë maqedonas (me pikë grumbullimi para konsullatës serbe pikërisht në Kumanovë më 23 maj) për zhvillimin e një mitingu në mbështetje të Aleksandar Vuçiqit. Lidhja Socialdemokrate (LSDM) këtë e cilësoi hapur si tradhti ndaj interesave kombëtare.

Në vend të një reagimi të prerë shtetëror kundër këtij rrjeti të ndikimit të huaj, kryeministri Mickoski zgjodhi rrugën e manovrimit politik. I vënë nën presion për të komentuar skandalin, ai u fsheh pas frazave boshe se qeveria “nuk ka ndërmend të përzihet në politikat e pavarura të shteteve të tjera”, duke shfrytëzuar menjëherë rastin për të sulmuar sërish opozitën shqiptare (BDI), të cilën e fajësoi për problemin e pazgjidhur prej 20 vitesh të studentëve.

Roli destruktiv i “Botës Serbe” u evidentua edhe në raportin e fundit vjetor të Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut. | BGNES