Kryetari i opozitës së LSDM-së, Venko Filipçe, njoftoi se partia sërish do të publikojë “bomba”, por kësaj radhe ato nuk do të jenë biseda të përgjuara në mënyrë joligjore. Tani “bombat” do të jenë kallëzime penale kundër funksionarëve aktualë për korrupsion, të cilat do t’i përgatisin aktivistë të rinj partiakë që Filipçe i quajti “forca e re”.
Sot, në një konferencë për shtyp, ai i bëri thirrje Prokurores së Përgjithshme Evropiane, Laura Kovesi, të vizitojë Maqedoninë, për t’u njohur – siç tha ai – me “keqpërdorimet që VMRO-DPMNE i bën me fondet evropiane”. Filipçe njoftoi gjithashtu se partia do të ftojë edhe antikorrupsionistë italianë me përvojë në luftimin e mafies, duke theksuar se “ashtu siç e mposhtën Cosa Nostra-n, do të mund ta mposhtin edhe ‘mafinë e VMRO-DPMNE-së’”.
