Në qelinë e Xhevair Kamberit, i akuzuar për rastin “Puls”, janë gjetur 13 telefona mobilë dhe një laptop

Gjyqtarja Gruevska-Ilievska i kujtoi të akuzuarit se për një rast të tillë pasojnë sanksione si izolim (qeli e vetmuar) dhe masa të tjera, por shtoi se këtë herë vetëm do ta paralajmërojë që në të ardhmen të mos përsëriten shkelje të tilla.

Përfaqësuesit e Prokurorisë reaguan duke thënë se shpeshherë në burgje gjenden telefona mobilë dhe se nuk duhet të shqiptohen vetëm vërejtje.

Në qelinë e Xhevair Kamberit, i akuzuar në rastin “Puls” dhe i cili ndodhet në paraburgim, është gjetur një numër i madh telefonash mobilë dhe një laptop. Këtë e konstatoi gjyqtarja Diana Gruevska-Ilievska në fillim të seancës së sotme, pasi verifikoi praninë e palëve në proces.

“Xhevair, nga burgu mora informacion se tek ju janë gjetur telefona mobilë dhe një laptop”, tha gjyqtarja.

Kamberi u përgjigj se telefonat mobilë kanë qenë më herët në qeli dhe se ai vetëm i ka gjetur.

Gjyqtarja Gruevska-Ilievska tha se bëhet fjalë për 13 telefona mobilë dhe një laptop. Ajo i kujtoi të akuzuarit se për raste të tilla pasojnë sanksione si qeli e vetmuar dhe masa të tjera, por shtoi se kësaj here vetëm do ta paralajmërojë që në të ardhmen të mos ndodhin shkelje të ngjashme.

Nga ana e përfaqësuesve të Prokurorisë u tha se në burgje shpesh gjenden telefona mobilë dhe se nuk duhet të jepen vetëm paralajmërime.

Ndryshe, Xhevair Kamberi është i akuzuar si ish-zyrtar në Ministrinë e Ekonomisë. Ai është i vetmi nga 35 personat fizikë në rastin “Puls” që, përveç veprave të rënda kundër sigurisë së përgjithshme, akuzohet edhe për marrje ryshfeti.

Të gjithë të tjerët ndiqen për veprën penale “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”.

Seanca vazhdoi me verifikimin e përfaqësuesve, pra avokatëve të familjeve të viktimave të zjarrit, të cilët nuk ishin evidentuar ose nuk kishin dorëzuar autorizimet në seancën e kaluar.

Avokatët e të dëmtuarve që u paraqitën sot në gjykatë thanë se i bashkohen ndjekjes penale të Prokurorisë dhe deklaruan se kërkesat për dëmshpërblim do t’i parashtrojnë në procedurë civile para gjykatës kompetente. Pas evidentimit të avokatëve të palës së dëmtuar, pritet që seanca të vazhdojë me deklarimin për fajësi të të akuzuarve dhe fjalët hyrëse të mbrojtjes.

Në zjarrin në të ashtuquajturën kabare “Puls”, i cili ndodhi më 16 mars 2025, humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 u plagosën. Për zjarrin janë të akuzuar 35 persona fizikë dhe tre persona juridikë, pra kompani.

Të parët në listën e të akuzuarve janë pronari i “Puls”-it, djali dhe vëllai i tij.

Mes të akuzuarve ka ish-kryetarë komunash të Koçanit, ish-ministra, ish-drejtorë dhe inspektorë në institucione shtetërore.