Të shtëna me armë në një festë me muzikë elektronike në Zvicër, 1 i vdekur dhe 5 të plagosur rëndë

IMG_6694

Terror në Aarau të Zvicrës. Disa të shtëna me armë zjarri janë regjistruar gjatë një feste me muzikë elektronike që po zhvillohej pranë hipodromit në zonën e Schachen, në kantonin Aargau.

Sipas policisë kantonale, të cituar nga transmetuesi zviceran SRF, një person ka humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur rëndë.

Fillimisht, autoritetet njoftuan për “disa viktima” dhe u bënë thirrje banorëve që të qëndronin larg zonës së ngjarjes. Policia u ka kërkuar gjithashtu personave që kanë qenë dëshmitarë të ngjarjes që të vënë në dispozicion fotografi apo video që mund të ndihmojnë hetimet.

Dëshmitari: Menduan se ishin fishekzjarre

Një prej pjesëmarrësve në event ka rrëfyer për mediat zvicerane momentet e tmerrshme.

“Rreth orës 02:30 muzika u ndërpre papritur dhe, pas një ose dy minutash, dëgjova të shtënat. Mendova se ishin fishekzjarre dhe nuk i kushtova rëndësi”, tregoi ai.

Sipas dëshmitarit, pak më vonë një burrë, i shoqëruar nga një grua, i kërkoi të fshihej pas një frigoriferi. Fillimisht ai nuk e kuptoi arsyen, por më pas dëgjoi një plumb që përplasej në çatinë e tendës.

Kur doli jashtë, ai pa gruan të plagosur. Së bashku me të tjerë tentuan ta ndihmonin, por ajo ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.

Disa pjesëmarrës kanë deklaruar se kanë parë një person të armatosur me një pushkë automatike, i cili më pas është larguar në drejtim të pyllit, pranë automjeteve të parkuara, përpara se të futej në pyll.

Policia vijon kërkimet për autorin

Autori i të shtënave ende nuk është arrestuar. Policia po vijon kërkimet, ndërsa motivi dhe rrethanat e sakta të sulmit mbeten ende të paqarta.

Forcat e policisë kantonale të Aargaut kanë ndërmarrë një operacion të gjerë në zonë. Perimetri përreth hipodromit, pishinës dhe fushës sportive ku po zhvillohej festa është mbyllur për publikun.

Hetimet vijojnë për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes dhe për të identifikuar autorin e sulmit.