Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, mbrëmë nga Tetova i dërgoi një paralajmërim të ashpër kryeministrit Hristijan Mickoski, duke theksuar se çdo devijim nga rruga europiane mund të ndajë shtetin.
„Nëse Maqedonia nuk e vazhdon rrugën drejt BE-së, atëherë qytetarët e këtij vendi nuk do të kenë zgjidhje tjetër, përveç që disa të shkojnë me Shqipërinë, e të tjerët me Bullgarinë!“, deklaroi Ahmeti.
Në fjalimin e tij ai foli edhe për hapjen e selisë zgjedhore në Tetovë, e cila sipas tij përbën një hap të rëndësishëm në „plebiscitin historik“ që pritet.
– Sot në Tetovë ishte selia jonë zgjedhore, duke shënuar një hap të rëndësishëm në plebiscitin historik që na pret. Kjo mobilizim i jashtëzakonshëm është dëshmi se shqiptarët janë të bashkuar, të vendosur dhe të përgatitur të mbrojnë dinjitetin, barazinë dhe të ardhmen europiane të vendit. Bashkimi i forcave politike në këtë aleancë është përgjigja jonë më e fuqishme ndaj sfidave që u servohen nga ‘patriotët e vonuar’. E dimë se rruga jonë nuk është e lehtë, por uniteti ynë është garanci se askush nuk mund të na ndalojë. Ky plebiscit nuk është për një parti, as për një individ, por për të gjithë shqiptarët dhe për vendin tonë – tha Ahmeti.