Belgjika i është bashkuar grupit të vendeve që njohën shtetin e Palestinës, tha kryeministri belg Bart De Wever duke folur në margjinat e seancës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
“Belgjika po i jep botës sot një sinjal të fortë politik dhe diplomatik duke iu bashkuar grupit të vendeve që kanë njoftuar njohjen e Shtetit të Palestinës”, tha kryeministri belg.
“Zhvillimi efektiv i marrëdhënieve diplomatike me shtetin e ri të Palestinës, përfshirë hapjen e ambasadës belge dhe përfundimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, do të kryhet sapo të jenë arritur objektivat e Deklaratës së Nju Jorkut”, deklaroi De Wever.
Më parë, Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi njohjen e shtetësisë palestineze nga Parisi. Australia, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar dhe Portugalia shprehën njohjen e tyre për Shtetin e Palestinës një ditë më parë.