BDI akuzon qeverinë e Hristijan Mickoskit dhe koalicionin VMRO/DPMNE–ZNAM–VLEN për rritjen e ndikimit serb dhe rus në Maqedoninë e Veriut. Shembull merret aktori serbo-rus Milosh Bikoviq, me shtetësi ruse dhe i njohur për filmin “Kufiri Ballkanik” (
), i cili planifikon investim në një kompleks turistik në Berovë. Sipas BDI-së, projekte të tilla përdoren për përhapjen e narrativave serbo-ruse dhe rrezikojnë orientimin euroatlantik, unitetin ndëretnik dhe stabilitetin e vendit. Aleanca për Shqiptarët mban një qëndrim të ngjashëm, duke kritikuar qeverinë për përkrahjen e këtyre projekteve dhe duke akuzuar VLEN-in për heshtje dhe mungesë reagimi. Të dyja partitë e lidhin çështjen me nevojën për mbrojtjen e sovranitetit dhe orientimit perëndimor të Maqedonisë së Veriut.“Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësim të thellë për zhvillimet e fundit që konfirmojnë qartë rritjen e penetrimit të “botës serbe” dhe ndikimit rus në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nën qeverinë aktuale të udhëhequr nga Hristijan Mickoski dhe koalicionin VMRO/DPMNE–ZNAM–VLEN. Rasti i fundit me aktorin serbo-rus Milosh Bikoviq është tregues domethënës i kësaj prirjeje të rrezikshme. Kryeministri Mickoski e priti publikisht Bikoviqin duke e prezantuar si “bir të Berovës” dhe duke e lavdëruar për iniciativën për investim në një kompleks turistik”, thonë nga BDI.
BDI shton se nuk mund të injorohet fakti që Bikoviq është një figurë e lidhur ngushtë me Beogradin dhe Moskën, i cili:
• Vetë ka deklaruar se Presidenti rus Vladimir Putin i ka thënë se kishte marrë pjesë në marrjen e aeroportit të Slatinës në Prishtinë, një episod i njohur si demonstrim i forcës ruse në Ballkan pas bombardimeve të NATO-s, dhe që e lidhi me filmin e tij propagandistik “Ballkan Border”;
• Në vitin 2023 është nderuar nga vetë Putin me shtetësinë ruse, duke u bërë një nga figurat më të rëndësishme të soft power-it rus përmes artit, filmit dhe mediave.
“Këto fakte tregojnë qartë se nën qeverinë aktuale, RMV po shfaq hapje gjithnjë e më të madhe ndaj ndikimeve të huaja që rrezikojnë kursin euroatlantik të vendit. Investime të tilla, të paraqitura si projekte ekonomike e kulturore, në thelb përbëjnë kanale për legjitimimin e narrativave serbo-ruse në vend dhe normalizimin e tyre si pjesë e identitetit tonë kombëtar. BDI thekson se ky është një sinjal alarmues: përpjekjet për penetrim kulturor e politik nga Beogradi e Moska nuk janë të fshehura, por po legjitimohen nga qeveria; këto zhvillime rrezikojnë unitetin e shoqërisë, marrëdhëniet ndëretnike dhe perspektivën euroatlantike të Maqedonisë së Veriut”, thonë nga BDI.
BDI u bën thirrje qytetarëve, institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë që të jenë të vetëdijshëm për këto procese dhe të mos lejojnë që vendi ynë të kthehet pas, drejt “botës serbe” dhe ndikimit rus.
Edhe Aleanca për Shqiptarët shprehet e shqetësuar lidhur me promovimin dhe përkrahjen që pushteti aktual i jep projekteve të lidhura me figura dhe struktura që hapur përfaqësojnë interesat e “Botës Serbe” dhe ndikimit rus në rajon.
“Takimi i kryeministrit Hristijan Mickoski me aktorin serb Millosh Bikoviq, i cili së fundmi ka marrë shtetësinë ruse me dekret të presidentit Vladimir Putin dhe ka qenë i pritur prej tij për rolin në filmin propagandistik “Kufiri Ballkanik”, është sinjal alarmant për drejtimin ku po shkon vendi. Plani për investim në një kompleks hotelierik dhe rekreativ në Berovë, nën petkun e zhvillimit ekonomik dhe turizmit, në fakt është pjesë e rrjetëzimit strategjik të projekteve që i shërbejnë përhapjes së narrativës dhe ndikimit të “Botës Serbe” në Maqedoninë e Veriut. Ky projekt nuk mund të shihet i izoluar, por duhet të vendoset në kontekstin e përpjekjeve të Beogradit dhe Moskës për të konsoliduar praninë e tyre politike, ekonomike dhe kulturore në vend. Aleanca për Shqiptarët paralajmëron se çdo tentativë për të kthyer Maqedoninë e Veriut në fushë veprimi të interesave të huaja hegjemoniste është në kundërshtim me orientimin euroatlantik të shtetit dhe rrezikon sigurinë kombëtare, stabilitetin dhe të ardhmen e qytetarëve tanë”, thonë nga ASh.
Ata shtojnë se VLEN-i po qëndron në heshtje për këtë çështje kritike, “duke u fshehur pas pallavrat e së kaluarës dhe duke shmangur çdo përgjegjësi konkrete”.
Ndryshe, shqetësimi i shprehur në Raportin e Parlamentit Europian lidhur me Maqedoninë e Veriut, respektivisht me promovimin e të ashtuquajturës “botës serbe” nga disa zyrtarë qeveritar të Maqedonisë së Veriut, nuk është nxjerrë si mësim nga Shkupi zyrtar. Këtë e vërtetojnë defilimet e reja të krerëve të lartë shtetëror të Serbisë në Maqedoninë e Veriut. Njohësit e rrethanave politike shtrirjen e ndikimit të “botës serbe” në vend e vlerësojnë si pjesë të propagandës “serbomadhe” kurse kanë reaguar dhe partitë shqiptare. Nga partia maqedonase VMRO-PP, thonë se “politika serbomadhe dhe shovinizmi ndaj Maqedonisë po merr dimension tjetër dhe kjo falë qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe ZNAM”.
Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ka kohë që debatohet edhe brenda eksponentëve politikë për prezencën e të a.q. “botës serbe” në jetën politike të vendit. Millorad Dodik, politikani kontrovers serb, kryetar i të a.q. Republika Sërpska, në shënimin e “Shën Savës”, festës nacionale të komunitetit serb, organizuar nga Qendra Kulturore Serbe në Shkup, kishte drejtuar porosi kundër Bashkimit Europian. Dodiku ishte i ftuar special i zëvendëskryeministrit të RMV, Ivan Stoilkoviq.
Raporti nga Parlamenti Evropian, paralajmëron për rritjen e ndikimit të Rusisë dhe Kinës dhe dënon promovimin e konceptit të një “bote serbe” nga zyrtarët e Maqedonisë së Veriut.