Policia e Shkupit zbardh dhunën ndaj vajzës 11-vjeçare: Sulmi u filmua dhe u publikua online

Policia e Shkupit ka zbardhur rastin e dhunës ndaj një vajze 11-vjeçare nga Çairi, e cila është sulmuar nga bashkëmoshataret e saj, ndërsa ngjarja është filmuar dhe më pas publikuar në rrjetet sociale.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, ngjarja ka ndodhur më 20 qershor 2025 në rrugën “Pavle Iliç”, pranë një objekti hotelerie në Shkup. Tre vajza kanë ushtruar dhunë ndaj të miturës, ndërsa një tjetër e ka incizuar gjithë aktin me celular. Videoja e sulmit u bë “virale” në rrjete sociale.

Rasti është denoncuar në polici më 1 shtator 2025 nga babai i vajzës së sulmuar, i cili tha se e kishte kuptuar ngjarjen vetëm pasi e kishte parë videon online. Vajza nuk i kishte treguar asgjë nga frika se mund të sulmohej përsëri.

Të miturat e përfshira dhe prindërit e tyre janë thirrur në stacion policor. Pas dokumentimit, ndaj tyre do të ngrihen kallëzime përkatëse për veprat penale “dhunë” dhe “xhirim i paautorizuar”.