KATËR VLEN-JAKËT SI DIKUR RRAHMAN MORINA ME SHOKËT!

Shkruan: dr. Xhevat Hasani
Cyrih, 11 korrik 2026

Në vjeshtën e vitit 1988, derisa Kosova po vlonte nga demonstratat gjithëpopullore, Rrahman Morina, Alia Shukria, Sinan Hasani dhe Hysmedin Azemi ishin bërë një katërshe antishqiptare, që nuk po linte gur pa lëvizur për t’ia mundësuar Millosheviqit dhe partisë së tij, të quajtur “Partia Socialiste e Serbisë”, heqjen e autonomisë së Kosovës sipas Kushtetutës së vitit 1974.

Në vitet 2024, 2025 dhe 2026, edhe në mesin e shqiptarëve që jetojnë në viset e tyre në Maqedoni, është shfaqur një katërshe antishqiptare, të cilën unë e quaj katërshe VLEN-jake, ngaqë përbëhet nga katër krerët kryesorë të koalicionit të quajtur VLEN. Kjo katërshe, duke mos u angazhuar për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, po ia mundëson Mickoskit dhe partisë së tij, VMRO-së, që t’ua heqin shqiptarëve sa më lehtë ato të drejta që atyre ua ka garantuar Marrëveshja Ndërkombëtare e Ohrit e vitit 2001. Kjo marrëveshje për shqiptarët në Maqedoni ka qenë dhe është po aq e rëndësishme, sa ka qenë e rëndësishme Kushtetuta e Kosovës e vitit 1974 për shqiptarët e Kosovës.

Duke i analizuar pikat e përbashkëta të këtyre dy katërsheve shqipfolëse, njeriu sheh se si historia përsëritet pikë për pikë e një për një:

*Të dyja katërshet kanë në përbërjen e tyre nga katër shqiptarë antishqiptarë;

*Të dyja katërshet kanë mbështetur/mbështesin dy liderë antishqiptarë -Millosheviqin dhe Mickoskin dhe dy partitë e tyre antishqiptare: Partinë Socialiste të Serbisë dhe partinë VMRO të Maqedonisë;

*Të dyja katërshet këto veprime antishqiptare i kanë bërë dhe i bëjnë me qëllimin përfundimtar që dy liderët shovinistë dhe dy partitë e tyre shoviniste të përmendura më lart:

° t’ua hiqnin sa më lehtë shqiptarëve të Kosovës ato të drejta elementare që ua kishte garantuar Kushtetuta e Kosovës e vitit 1974 dhe

° t’ua heqin shqiptarëve në Maqedoni ato të drejta elementare që ua kishte garantuar Marrëveshja Ndërkombëtare e Ohrit e vitit 2001.

Duke pasur parasysh sa u tha më lart, del se ndërmjet katërshes VLEN-jake në Maqedoni– Izet Mexhitit me shokë – dhe katërshes së Kosovës – Rrahman Morinës me shokë – nuk mund të futet as edhe një fije floku!

Por krahas ngjashmërive ndërmjet katërshes antishqiptare të Kosovës dhe katërshes antishqiptare në Maqedoni ka një dallim:

Kundër katërshes antishqiptare të Kosovës, padronit të saj, Millosheviqit dhe Serbisë, shqiptarët e Kosovës kanë demonstruar pa ndërprerë; ndërsa

Kundër katërshes antishqiptare VLEN-jake në Maqedoni, deri më tani, shqiptarët në Maqedoni jo vetëm që nuk kanë demonstruar, por as nuk e kanë nxjerrë qoftë edhe një zë të vetëm, përveç disa zërave të deputetëve shqiptarë në parlament.

Mendoj se ajo që shqiptarët në Maqedoni do të duhej ta kuptonin është se në një vend gjysmëdiktatorial dhe gjysmëracist, siç është Maqedonia e Veriut, shqiptarët, për mbrojtjen e të drejtave të tyre, janë të detyruar të bëjnë një luftë të kombinuar: nga njëra anë, luftë politike në parlament dhe, nga ana tjetër, luftë publike me demonstrata paqësore nëpër rrugë.

Partia e BDI-së e Ali Ahmetit po bën luftë politike në parlament nëpërmjet deputetëve të saj, dhe kjo luftë ka vlerë. Por, për mendimin tim, kjo parti gjatë këtyre tri viteve të fundit, 2024, 2025 dhe 2026, do të duhej të kishte organizuar më shumë se njëqind demonstrata paqësore nëpër qytete dhe fshatra.

Organizimi i demonstratave paqësore nga shqiptarët në Maqedoni paraqet një conditio sine qua non!