Meidani i përgjigjet zërave kritikë: “Urat ndërtohen nga njerëzit, jo nga retorika”

Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, ka përcjellë një mesazh me tone simbolike gjatë pjesëmarrjes në një aktivitet rinor, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë i Maqedonisë së Veriut, Fatmir Limani.

Meidani bëri të ditur se fjalën e tij e nisi me përshëndetjen drejtuar Limanit: “Mirë se erdhe në Shqipëri! Këtu je gjithmonë i mirëseardhur!”, duke e falënderuar atë dhe familjen e tij për kontributin patriotik ndër vite.

Në reagimin e tij, ambasadori nuk la pa përmendur edhe debatet që kanë shoqëruar së fundmi marrëdhëniet politike, duke theksuar se, “pavarësisht zhurmës që krijojnë herë pas here individë të caktuar, të rinjtë vazhdojnë të japin shembullin më të mirë: dialogu, miqësia dhe bashkëpunimi janë gjithmonë më të forta se ndasitë artificiale.”

Ai shtoi se bashkëpunimi institucional mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë të forcohet, “përtej çdo zhurme dhe çdo përpjekjeje për të na ndarë”.

Në aktivitet morën pjesë edhe ministrja shqiptare e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, si dhe zëvendësministrja Vilma Premti. Ambasadori falënderoi gjithashtu Sara Boden dhe Agjencinë Kombëtare të Rinisë për organizimin e kampit.

Postimin e mbylli me mesazhin: “Urat ndërtohen nga njerëzit, jo nga retorika.”