NJË TALENT SHQIPTAR QË PO SHKËLQEN NË ZVICËR – ANES ALII, KAPITENI I FC BASEL U15

Një emër që pritet të dëgjohet shumë në të ardhmen e futbollit shqiptar është padyshim Anes Alii, talenti i ri shqiptar i lindur më 10 shkurt 2011 në Basel të Zvicrës, me prejardhje nga fshati Zherovjan i Tetovës.

Që nga mosha 6-vjeçare, Anesi është pjesë e akademisë së njohur të klubit prestigjioz FC Basel, ku ka kaluar me sukses të gjitha grupmoshat e juniorëve, nga U6 deri te U15, duke dëshmuar vazhdimisht disiplinë, talent dhe karakter të jashtëzakonshëm.

Aktualisht, Anes Alii mban shiritin e kapitenit te ekipi U15 i FC Basel, ndërsa njëkohësisht është aktiv edhe me ekipin U16 të klubit zviceran, gjë që flet shumë për potencialin dhe nivelin e tij të lartë futbolistik.

Përveç suksesit në klub, Anesi është edhe pjesë e Kombëtares së Zvicrës U15, duke qenë një nga shqiptarët e paktë që përfaqëson këtë nivel në futbollin zviceran.

Ai njihet si një futbollist me trup të fuqishëm, agilitet të lartë dhe agresivitet pozitiv në dyluftime, ndërsa karakteri i tij si lider e bën një lojtar shumë të veçantë në fushë. Anesi luan në disa pozicione kyçe si:
• Mbrojtës qendror i majtë
• Mesfushor defensiv qendror
• Mbrojtës i majtë

Idoli i tij është kapiteni shqiptar i Zvicrës, Granit Xhaka, ndërsa shumëkush beson se Anes Alii mund të ndjekë hapat e tij drejt niveleve më të larta të futbollit europian.

Shpresojmë që në të ardhmen, ky talent i madh tetovar të jetë pjesë edhe e Kombëtares Shqiptare, duke përfaqësuar me krenari shqiptarët në arenën ndërkombëtare.