Mbreti Charles III i ka kërkuar vëllait të tij, Prince Andrew, të lirojë rezidencën e tij në Windsor, duke i vendosur një afat të prerë për t’u larguar nga Royal Lodge deri në fundjavë.
Sipas raportimeve të mediave britanike, Andrew ishte njoftuar që prej muajit të kaluar për të liruar rezidencën me 30 dhoma, ku kishte jetuar për më shumë se 20 vite. Procesi i largimit tashmë ka nisur, ndërsa stafi po punon për të zbrazur plotësisht pronën.
Burime pranë situatës bëjnë me dije se kontejnerë të mbushur me sende janë larguar nga prona, ndërsa furgonë transporti kanë transportuar mobilie dhe objekte personale. Një pjesë e sendeve të padëshiruara raportohet se janë djegur brenda territorit të rezidencës.
“Gjithçka duhet të largohet dhe të mos mbetet asnjë gjurmë,” citohet të ketë thënë një burim, duke shtuar se vetë Andrew nuk ka qenë i pranishëm për të mbikëqyrur procesin.
Në proces janë përfshirë edhe ish-shërbëtorë të princit, ndërsa kompani transporti, përfshirë firmën JDL, janë parë duke ngarkuar sende nga rezidenca. Kjo kompani njihet për punën e saj në prodhime televizive, përfshirë serialin The Crown.
Largimi nga Royal Lodge konsiderohet një tjetër goditje për statusin e Princit Andrew, i cili ka humbur mbështetjen financiare dhe sigurinë 24-orëshe. Ai nuk do të ketë më staf personal dhe nuk do të financohet nga taksapaguesit britanikë.
Në rezidencë kishte jetuar edhe ish-bashkëshortja e tij, Sarah Ferguson, për një periudhë të gjatë pa pagesë qiraje.
Andrew dyshohet se ka ndarë informacione të ndjeshme gjatë kohës që shërbente si i dërguar tregtar i Mbretërisë së Bashkuar. Pretendimet përfshijnë komunikime që lidhen me vizita zyrtare në Azi dhe mundësi investimi në Afganistan.
