Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të zhvillojë sot një vizitë zyrtare në vendin tonë. Ai do të pritet nga Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova.
Sekretari i Përgjithshëm do të pritet me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake në një ceremoni në Presidencë, e më pas do të ketë një takim kokë më kokë dhe një takim plenar të delegacioneve të Maqedonisë dhe NATO-s. Është planifikuar gjithashtu një konferencë e përbashkët për shtyp nga Presidentja Siljanovska-Davkova dhe Rutte.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s do të takohet gjithashtu me kryeministrin Hristijan Mickoski, si dhe me Kryetarin e Parlamentit, Afrim Gashi, pas së cilës do të paraqitet para deputetëve dhe opinionit në seancë plenare.
Rutte do të vizitojë gjithashtu kazermën “Ilinden” ku do të marrë pjesë në prezantimin e Grupit të Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë të Ushtrisë dhe disa nga pajisjet e kësaj njësie.
Në këtë ngjarje do të marrin pjesë Ministri i Mbrojtjes Vlado Misajlovski, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Major Sashko Lafçiski, gjeneralë në Ushtri dhe përfaqësues nga Ministria e Mbrojtjes.
Kjo është vizita e parë e Rutte-s si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s në Shkup. Ai ishte në vend në nëntor 2021 si Kryeministër i atëhershëm i Holandës.
