Departamenti Amerikan i Shtetit ka urdhëruar largimin e detyrueshëm të personelit jo-emergjent të qeverisë amerikane dhe familjarëve të tyre nga Jordania, Bahreini, Iraku, Katari dhe Kuvajti, për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në rajon.
Sipas njoftimit zyrtar, në Jordani, Bahrein, Katar dhe Kuvajt ekziston një kërcënim i vazhdueshëm nga sulmet me dronë dhe raketa që dyshohet se lidhen me Iranin, si dhe ndërprerje të konsiderueshme të fluturimeve komerciale. Ndërkohë, në Jordani dhe Bahrein paralajmërohet edhe për rrezik sulmesh terroriste, ndërsa në Irak për rreziqe të larta dhune dhe rrëmbimesh.
Ky është urdhri i parë për largim të detyrueshëm që prej nisjes së operacioneve ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, duke reflektuar nivelin e lartë të rrezikut në rajon, ndërsa Teherani po kundërpërgjigjet.
Gjatë natës, ambasada amerikane në Riad, në Arabinë Saudite, u godit nga dy dronë të dyshuar iranianë, ndërsa dy të tjerë shpërthyen “në ose pranë” kompleksit diplomatik. Edhe ambasada amerikane në Kuvajt është raportuar se është goditur.
Megjithëse largimi i personelit nuk nënkupton mbylljen e plotë të ambasadave, stafi do të reduktohet në minimumin e nevojshëm, shkruan CNN. Ambasada e SHBA-së në Kuvajt ka njoftuar ndërkohë mbylljen “deri në njoftim të mëtejshëm”.
Departamenti i Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë në të gjithë Lindjen e Mesme të largohen “tani” përmes linjave komerciale, por situata mbetet e vështirë pasi shumë kompani ajrore kanë pezulluar fluturimet. Deri më tani, qeveria amerikane nuk ka nisur fluturime evakuimi për qytetarët e saj.
