Nis takimi i parë i Bordit të Paqes, zbardhet axhenda e plotë, presidenti Trump takohet me kryeministri Rama

Instituti amerikan i Paqes në Uashington mirëpret sot takimin e parë të Bordit të Paqes të krijuar nga presidenti Donald Trump për zgjidhjen e krizave dhe konflikteve botërore.

Shqipëria do të jetë pjesë e takimit, e përfaqësuar nga kryeministri Rama, si dhe Kosova që do të përfaqësohet nga Presidentja Vjosa Osmani.

Në Uashington kanë filluat të mbërrijnë autokolonat e të gjithë liderëve që kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takim. Sipas axhendës së publikuar, mes 26 folësve është edhe kryeministri Rama i cili do të firmosë edhe marrëveshjen për anëtarësimin e Shqipërisë si anëtare themeluese e organizatës.

I pari që do të mbajë fjalim është presidenti Trump, i ndjekur nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e më pas nga personi që Trump i ka dorëzuar çelësat e negociatave për zgjidhjen e konflikteve në botë, Steve Witkoff.

Bordi, i krijuar për rindërtimin  dhe zgjidhjen përfundimtarë të konfliktit në Gaza, do të njihet edhe me njoftimin për 5 miliardë dollarët që shtetet anëtare kanë ofruar për këtë qëllim. Rindërtimi i Gazës pritet të kushtojë 70 miliardë dollarë, sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, Bankës Botërore dhe Bashkimit Europian, pas më shumë se dy vitesh lufte.