Pas pothuajse 8 vitesh në funksion, kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë (RKE), Marko Bislimoski, sot ka dhënë dorëheqje. Në letrën drejtuar Kuvendit nuk janë përmendur arsyet e dorëheqjes.
Kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Marko Bislimoski, sot ka paraqitur dorëheqje, mëson Deutsche Welle. Bislimoski këtë mëngjes me një letër e ka njoftuar kryetarin e Kuvendit se tërhiqet nga funksioni, në të cilin për herë të parë ishte zgjedhur në qershor të vitit 2018. Në dorëheqje ai nuk i përmend arsyet e tërheqjes. Vendimin nuk dëshiron ta komentojë as ai, as bashkëpunëtorët e tij. Për arsyet, për momentin, mund vetëm të spekulohet, duke pasur parasysh se mandati i tij i dytë pesëvjeçar përfundonte në qershor 2028.
Kallëzim penal nga Policia Financiare
Para pak më shumë se dy javësh, Drejtoria e Policisë Financiare (DPF) ka paraqitur kallëzim penal kundër Bislimoskit, duke e dyshuar për shpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare. Në kallëzimin e dorëzuar më 29 janar thuhet se Bislimoski, kinse, nuk ka vepruar sipas Ligjit për Energjetikë dhe nuk ia ka hequr me kohë licencën kompanisë “Triterol Petrol” SH.P.K. Shkup, edhe pse ajo nuk i plotësonte kushtet për tregti me naftë dhe derivate.
Licenca, sipas pretendimeve, duhej të ishte hequr në janar 2024, por procedura ishte ndërprerë me një vendim të paligjshëm dhe licenca është hequr vetëm në prill 2025.
Kjo i ka mundësuar kompanisë të vazhdojë punën edhe rreth 15 muaj të tjerë dhe gjatë asaj periudhe të realizojë qarkullim mbi 3,15 milionë euro dhe përfitim të kundërligjshëm prej rreth 229 mijë eurosh.
Bislimoski në një konferencë për shtyp deklaroi se do t’i vërë në dispozicion të gjitha informacionet institucioneve kompetente, me qëllim që të dëshmojë se në procedurën për heqjen e licencës së kompanisë nuk është bërë asnjë shkelje e rregullativës ligjore.
“Në periudhën në vijim do ta ndjek të gjithë procesin dhe nuk do të lejoj që në asnjë mënyrë të cenohet emri im. Çdo gjë që kam në dispozicion do t’u dorëzohet institucioneve. Jam i bindur fuqishëm se do të dëshmojmë se nuk ka pasur shkelje as të Ligjit për Energjetikë, as të Rregullores për licencim”, deklaroi Bislimoski.
Në nëntor të vitit të kaluar, Policia Financiare paraqiti kallëzim penal edhe kundër dy drejtuesve të “Triterol Petrol” dhe kundër vetë kompanisë, për shkak të dyshimeve për falsifikim dokumentesh dhe keqpërdorim në procedurë të prokurimit publik.
“Më trajtojnë si kriminel”
Gjatë mandatit të Bislimoskit, Komisioni Rregullator për Energjetikë disa herë është vlerësuar si rregullatori më i mirë nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë dhe ka marrë vlerësime pozitive për reformat e zbatuara. Megjithatë, Bislimoski dhe Komisioni kanë qenë shpesh objekt kritikash dhe sulmesh politike në të njëjtën periudhë.
Në vitin 2020, partia opozitare e atëhershme VMRO-DPMNE organizoi protesta para selisë së RKE-së në Shkup për shkak të rritjes së çmimit të energjisë elektrike.
