Ministrja shqiptare Elisa Spiropali ka përgëzuar studentët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut për angazhimin e tyre qytetar dhe mënyrën demokratike me të cilën kanë artikuluar kërkesën për përdorimin e gjuhës shqipe, në përputhje me të drejtat e garantuara nga Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi.
Në një reagim publik, Spiropali thekson se angazhimi i studentëve përfaqëson një shembull të pjesëmarrjes demokratike dhe të kërkesës për respektimin e të drejtave të garantuara me ligj.
Ajo vlerëson gjithashtu gatishmërinë e institucioneve të Maqedonisë së Veriut, veçanërisht Kryeministrit Hristijan Mickoski dhe Zëvendëskryeministrit Izet Mexhiti (Sali), për ta trajtuar këtë çështje me seriozitet dhe në përputhje me Kushtetutën dhe kuadrin ligjor të vendit.
Sipas Spiropalit, dialogu institucional, zgjidhjet përmes mekanizmave ligjorë dhe respektimi i të drejtave përbëjnë rrugën më të sigurt për forcimin e besimit mes qytetarëve dhe avancimin e standardeve demokratike në vend.
