Partia E Majta (Levica) ka publikuar akuza të rënda ndaj VMRO-DPMNE-së dhe anëtares së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), Cveta Ristovska, duke e lidhur atë drejtpërdrejt me një skemë konflikt interesi dhe financimi partiak, shkruan Gazeta Flaka.
Sipas Levicës, Ristovska ka fshehur qëllimisht në fletën e saj anketuese dy kompani aktive të djemve të saj – BUST MEDIA DOOEL dhe BUST DOOEL import-eksport, të regjistruara si kompani marketingu. Këto kompani, thekson Levica, nuk janë deklaruar asnjëherë, ndonëse ligji e obligon një gjë të tillë, sidomos për funksionarët që vendosin për korrupsion dhe sanksione.
Skandali bëhet edhe më serioz kur, sipas dokumenteve financiare të publikuara nga Levica, njëra prej këtyre kompanive ka përfituar mbi 2.200.105 denarë gjatë vitit 2024, drejtpërdrejt nga arka partiake e VMRO-DPMNE-së, në kuadër të fushatës zgjedhore për zgjedhjet presidenciale.
Nga Levica theksojnë se raportet financiare të partive politike për fushatat zgjedhore dorëzohen pikërisht në KSHPK, institucion ku Ristovska është anëtare dhe duhet të vlerësojë ligjshmërinë e transaksioneve. “Kjo do të thotë se ajo duhej të kontrollonte nëse transfertat milionëshe nga VMRO-DPMNE drejt kompanisë së familjes së saj janë të ligjshme”, thekson Levica.
Partia gjithashtu rikujton se Ristovska nuk është përjashtuar as nga vendimmarrja për diplomën e drejtorit të ANB-së, Bojan Hristovski, e marrë në një universitet ku ajo vetë ka qenë e angazhuar si ligjëruese – gjë që, sipas Levicës, dëshmon një praktikë të vazhdueshme të mos-përjashtimit në raste të konfliktit të interesit.
“Ky është përkufizimi i shtetit të kapur – institucione që ekzistojnë vetëm formalisht, por në thelb funksionojnë si pjesë e oktapodit partiak-korrupsion të VMRO-DPMNE-së dhe Mickoskit”, thuhet në reagimin e Levicës.
Nga partia e Dimitar Apasievit paralajmërojnë se do të vazhdojnë me publikimin e rasteve të tjera, duke zbardhur, siç thonë ata, arsyen pse korrupsioni i VMRO-DPMNE-së mbetet i paprekshëm dhe pse “antikorruptuesit” janë shndërruar në mburojë të pushtetit.
Të dhënat zyrtare mbi dy subjektet ekonomike që apostrofon partia e Apasievit:
Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar me kapital njëanëtarësh BUST DOOEL import-eksport Shkupështë e regjistruar në adresën 1647 6p.22/1/1-, Shkup – Gazi Babë, Komuna Gazi Babë, Republika e Maqedonisë së Veriut dhe ushtron veprimtari që nga 14 shkurt 2020.
Kompania është e klasifikuar si mikro-biznes, në përputhje me kriteret e përcaktuara nga Ligji për Kontabilitetin i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Vlerësimi i bonitetit të kompanisë për vitin 2025 është AAA, çka, sipas këtyre treguesve financiarë, e pozicionon BUST DOOEL import-eksport Shkup si një partner të besueshëm në industrinë e saj.
Sipas të dhënave aktuale, kompania nuk është e bllokuar.
Gjatë vitit 2024, kompania ka realizuar të ardhura totale prej 5.902.418 denarësh.
Kompania ka gjithsej 2 të punësuar, ndërsa paga mesatare bruto për punonjës është 17.884,50 denarë në muaj.
Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar me kapital njëanëtarësh BUST MEDIA DOOEL Shkup është e regjistruar në adresën Rrajko Zhinxhifov nr. 52/1-7, Shkup – Qendër, Komuna Qendër, Republika e Maqedonisë së Veriut dhe ushtron veprimtari që nga 4 qershori 2024.
Drejtori aktual i kompanisë është Stefan Ristovski, i cili njëkohësisht është edhe pronari i vetëm i saj.
Veprimtaria bazë e kompanisë është e regjistruar nën kodin 73.120 – Reklamim përmes mediave. Kompania është e klasifikuar si mikro-biznes, në përputhje me kriteret e përcaktuara nga Ligji për Kontabilitetin i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Vlerësimi i bonitetit të kompanisë për vitin 2025 është A+, çka, sipas treguesve financiarë, e pozicionon BUST MEDIA DOOEL Shkup si një partner të besueshëm në industrinë e saj.
Gjatë vitit 2024, kompania ka realizuar të ardhura totale prej 427.379 denarësh.
Nga të dhënat mbi subjektet juridike Bust Media dhe Bust, tek e para, rezulton që pronar i firmës është Stefan Ristovski. Firmat u krijuan njëra pas tjetrës në një interval kohor prej një viti. Bust u krijua në vitin 2024 kurse Bust Media një vit më vonë, në vitin 2025. Gjatë vitit 2024, kompanitë në fjalë kanë realizuar të ardhura totale me vlerë prej 6.329.797 denarë. Bust DOOEL 5.902.418 denarë dhe Bust Media DOOEL 427.379 denarë.
Sipas partisë së Apasievit, anëtarja e Komisionit Antikorrupsion, Cveta Ristovska, edhe pse sipas Ligjit është e detyruar të dorëzojë një listë anketuese të pasurisë së saj në mënyrë të drejtë, të plotë, të saktë dhe të detajuar, përfshirë edhe pasurinë e familjes së saj, vetë e ka shkelur me vetëdije Ligjin. Sipas Ligjit, çdo funksionar është i detyruar të dorëzojë një listë të saktë, të plotë dhe të drejtë të pasurisë së tij dhe të anëtarëve të familjes së tij.
Sipas Lëvicës, kjo vlen dyfish për një anëtar të DSKK-së – institucion që shqipton sanksione për shkelje dhe nis procedura pikërisht për mosdeklarim, fshehje ose deklarim të pasaktë të pasurisë.
Gazeta Flaka hulumtoi pretendimet e partisë së Apasievit, por nga informacionet publike nuk arriti në asnjë të dhënë, sepse, e vetma faqe e transparencës së parasë publike Open Finance që funksionon në suaza të Ministrisë së Financave, aktualisht është jashtë funksionimit.
Me klikimin në adresën zyrtare: Open Finance, shfaqet mesazhi që faqja elektornike nuk është private, edhe pse, përmbajtja dhe misioni është pikërisht, qasja e publikit.
Kjo lidhje nuk është private
Ky uebsajt mund të jetë duke u shtirur si “open.finance.gov.mk” me qëllim që të vjedhë të dhënat tuaja personale ose financiare.
Ju rekomandohet të ktheheni në faqen e mëparshme.
Shfaq detajet | Kthehu prapa
Më herët, nuk ka qenë praktikë që faqja elektornike e Ministrisë së Financave – Open Finance, të jetë e bllokuar dhe të mos shfaqe të dhënat me karakter publik. Nga institucionet përgjegjëse ende nuk ka një sqarim përse faqja është e bllokuar dhe nëse ka të bëjë për azhurnim të momentit të faqes, probleme teknike apo heqje e qëllimshme e qasjes deri te kjo faqe dhe përmbajtjet që gjeneron.
Kush është Cveta Ristovska?
Cveta Ristovska është anëtare e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit(KSHPK), që është organi shtetëror përgjegjës për monitorimin dhe parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit në punën e funksionarëve publikë.
Ajo u bë pjesë e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit dhe ka marrë pjesë në punën e tij që nga emërimi i saj, kur komisioni u formua dhe anëtarët betohen me detyrë nga Parlamenti.
Zëvendëskryetare e KSHPK‑së: Përkohësisht, Ristovska u zgjodh si zëvendëskryetare e Komisionitnë gusht 2025 në një mandat 6‑mujor, bazuar në rregullat e rotacionit brenda komisionit.
Ka pasur debate politike dhe kërkesa publike lidhur me disa vendime të Komisionit, përfshirë pretendime për konflikt interesi në raste të caktuara.
Si anëtare e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), Ristovska ka përgjegjësi të mbikëqyrë zbatimin e ligjeve kundër korrupsionit, përfshirë ligjin për deklarimin e pasurisë së funksionarëve publikë dhe familjarëve të tyre.
Sipas raportimeve të mediave dhe deklaratave të partive politike (p.sh. Lëvica), Cveta Ristovska është akuzuar se vetë nuk ka deklaruar plotësisht pasurinë e saj dhe të familjes, duke shkelur ligjin që vetë duhet ta mbikëqyrë. Kjo ka nxitur reagime politike, duke u konsideruar “shkelje e dyfishtë”: si funksionare e ligjit dhe si individ që nuk e përmbush detyrimin ligjor.
Për shkak të kësaj, disa aktorë politikë kanë kërkuar hetim dhe ndonjëherë dorëheqje nga posti i saj, për të ruajtur besueshmërinë e institucionit.
Përskaj të gjithave, Ristovska dhe Komisioni kanë deklaruar se vazhdojnë të punojnë sipas ligjit dhe kompetencave të tyre, ndërsa rastet për çështje të debatueshme po trajtohen nga autoritetet kompetente.


